Politikë

Kandidatja e PD, Lindita Metaliaj për Report Tv: Lezha ka gra dhe burra qendrestarë, do përballemi nëse preken votat!

9 Prill 2021, 12:56| Përditesimi: 9 Prill 2021, 13:02

  • Share

Lindita Metaliaj kërkon një mandat të dytë nga qytetarët lezhjanë, ajo renditet e treta në listën e kandidatëve për deputetë nën siglën e Partisë Demokratike. Në një intervistë për Report Tv, Metaliaj shprehet se gjendja ekonomike dhe sociale e zonës ku kandidon është tejet e vështirë për shkak të qeverisjes së majtë, e ndërsa sipas saj PD është oferta e vetme dhe alternativa për ndryshim. Ajo flet për një plan të PD-së për të mbrojtur votat, nëse do të cenohen.

"Lezha dhe qarku i Lezhës ka gra dhe burra qëndrestarë, ka të rinj dhe të reja qëndrestarë që janë aty për të zbatuar çdo plan, çdo alternativë që të vijë për t’u përballur me këdo që guxon të cenojë dhe të tjetërsojë votën e sovranit", shprehet ajo.

                Zonja Metaliaj, ju jeni e treta në listën e PD-së në qarkun e Lezhës për zgjedhjet e 25 prillit. Ku është fokusuar fushata juaj?

                Po është e vërtetë, jam e treta kandidate e listës së PD-së për qarkun e Lezhës. Pa dyshim, bashkë me kolegët e mi jemi të angazhuar dhe po punojmë fort për të maksimalizuar votën në të gjithë qarkun e Lezhës. Por kryesisht fushata ime është e fokusuar në bashkinë e madhe të Lezhës, pasi është një bashki me afërsisht 110 000 banorë, ndaj e gjithë koha ime, energjitë e mia janë fokusuar duke takuar çdo individ, çdo banor, çdo familjar, çdo biznes, për të kërkuar votën derë më derë, sepse qëllimi është maksimalizimi dhe fitorja e PD-së në qarkun e Lezhës.

                E ka penguar pandemia fushatën?

                Unë nuk do ta quaja se e ka penguar. Në fakt jemi në një fushatë specifike, në një fushatë ndryshe nga herët e tjera, sepse jemi mësuar që të bëjmë fushata me manifestime, me grumbullime të mëdha njerëzish, por gjithsesi kjo nuk e ka ndalur entuziazmin dhe dëshirën e vullnetin e qytetarëve për të na u bashkuar sa herë që kemi bërë takime. Por kryesisht takimet janë të fokusuara në seksione dhe në grupe seksionesh, duke u munduar që të ruajmë edhe protokollin anticovid-19 sepse në fakt, prioriteti numër një është mbrojtja e jetës dhe e shëndetit të çdo qytetari. Por, nga ana tjetër, kjo nuk na ka penguar që të takohemi dhe të bëjmë bashkëbisedime, takime, me çdo banor të Lezhës dhe jo vetëm, për të përcjellë mesazhin e PD-së derë më derë.

                Si po e presin qytetarët ofertën e PD-së?

                Pa dyshim që qytetarët e Lezhës po e presin më së miri ofertën e PD-së sepse është oferta e vetme dhe alternativa e vetme për ndryshim dhe është alternativa e vetme që i duhet Lezhës, por jo vetëm, të gjithë Shqipërisë. Pa dyshim, deri tani jemi mësuar në këto 8 vite me një fjalor banal, me një fjalor të degjeneruar, ku flitej vetëm për kazan, tepsi dhe timon. Por nga ana tjetër, qytetarët duan vërtet programin dhe alternativën e ndryshimit, duan alternativën që ka të bëjë pikërisht me rritjen e mirëqenies, me rritjen e ekonomisë, me rritjen e të ardhurave në çdo familje sepse kjo është pika e dobët, ekonomia është pika e dobët. Ndaj oferta e PD-së është zgjidhja e vetme, jo vetëm për qarkun e Lezhës, por për të gjithë Shqipërinë.

                Cilat janë problemet që keni evidentuar më së shumti në Bashkinë e Lezhës dhe çfarë zgjidhje do të ofroni ju?

                Pa dyshim që Lezha në fakt, ka pasur probleme duke filluar që nga përfaqësimi, nga përfaqësimi në parlament, përfaqësimi në pushtetin vendor, në administratë dhe në të gjitha institucionet. Pa dyshim që PD-ja po ofron një model krejt ndryshe, po ofron modelin e figurave përfaqësuese, figura me dinjitet, figura me integritet, figura me vlera, figura të cilat janë të pa përfolura, të pa korruptuara dhe pa dyshim që janë përfaqësimi më i denjë dhe i duhuri jo vetëm për Lezhën. Por nga ana tjetër PD-ja ka një program, ka një plan masash, ka një plan pune dhe angazhime konkrete për të nxjerrë Lezhën nga kriza e thellë ekonomike në të cilën ndodhet sot sepse në këto 8 vite ka pasur një mungesë investimesh nga ana shtetërore, qoftë investimet në turizëm apo investimet te biznesi, mungesë mbështetjeje ndaj biznesit, ka pasur mungesë subvencionesh ndaj bujkut, fermerit, të cilët janë lënë në mëshirë të fatit dhe panorama që shohim sot është një panoramë e frikshme në fakt, por edhe e dhimbshme nga ana tjetër. Ndaj alternativa e PD-së është ajo që i jep dorën çdo qytetari, i jep dorën çdo familjeje sepse në qendër dhe prioritet është individi, është familja, është biznesi, është fermeri, është turizmi, në mënyrë që t’i japë një zhvillim dhe një faqe ndryshe, jo vetëm Lezhës, por çdokujt.

                Cili është mesazhi juaj për votuesit e qarkut të Lezhës?

                Mesazhi im është që më 25 prill të votojnë PD-në si alternativën e duhur dhe si alternativën e vetme që mund të sjellë ndryshimin, pasi padyshim ky vend ka nevojë për ndryshim, ky vend ka nevojë që të ecë përpara, ky vend ka nevojë që t’i hapen dyert e integrimit në BE, ky vend ka nevojë që të përmirësohet ekonomia dhe mirëqenia e çdo familjeje shqiptare sepse sot, është e vërtetë që jemi të varfër, por realisht jemi të vjedhur. Jemi të vjedhur sepse jemi qeverisur në këto 8 vite nga një individ dhe nga një bandë hajdutësh, të cilët kanë menduar vetëm për xhepat e tyre nëpërmjet korrupsionit, nëpërmjet tenderave korruptivë, nëpërmjet PPP-ve dhe kanë pasuruar vetëm 10 oligarkët që kanë qëndruar afër tyre, ndërkohë që qytetari, familja dhe biznesi nuk ka qenë dhe nuk është prioritet. Ndaj me PD-në duhet të kenë besimin e plotë se vota për PD-në është vota për ndryshimin, është vota për individin, është vota për rininë, është vota për familjen, është vota për biznesin.

                Duke qenë se pushteti i ka të gjitha instrumentet në dorë, a keni frikë se mund të tjetërsohet vullneti i qytetarëve?

                Absolutisht jo. Nuk mund të ketë dhe nuk ka asnjë shans që të ndalohet ky uragan popullor, kjo dallgë e fortë e votës që do të vijë më 25 prill. Pa dyshim që bisha e plagosur është e rrezikshme edhe në ditët e fundit të jetës së saj, por të mos guxojë të prekë apo të tjetërsojë asnjë votë sepse qytetarët nuk do ta lejojnë. Nuk do të lejojnë më që të preket, të cenohet e ardhmja e fëmijëve dhe e familjeve tona.

                Keni ndonjë plan ju si forcë politike, se si do t’i mbroni votat?

                Patjetër që kemi një plan. Lezha dhe qarku i Lezhës ka gra dhe burra qëndrestarë, ka të rinj dhe të reja qëndrestarë që janë aty për të zbatuar çdo plan, çdo alternativë që të vijë për t’u përballur me këdo që guxon të cenojë dhe të tjetërsojë votën e sovranit, të blejë apo të shesë, me të gjitha metodat që do të mundohen sepse ky pushtet e mori pushtetin nëpërmjet tjetërsimit të votës dhe tenton që përsëri më 2021 si të vetmen alternativë që ka është shitblerja e votës, por nuk do t’ia dalë dhe të mos guxojë të cenojë sepse Lezha dhe lezhjanët nuk do t’ia falin.

                Deri tani, keni konstatuar probleme të tilla për presione mbi administratën, mbi votuesit nga ana e forcës politike në pushtet?

                Patjetër që po. Administrata po bën presione ndaj drejtuesve të administratës, duke filluar nga drejtuesit dhe nga i gjithë stafi i administratës. Këtë shohim që po bëhet edhe ndaj mësuesve, madje u kanë kërkuar lista, që të paraqesin disa lista me 10 apo 20 emra, pasi pretendojnë që ata mund të jenë votues, por ta harrojnë. E provuan më 30 qershor 2019, që vetëm 8% të socialistëve të Lezhës morën pjesë në votim dhe të mos harrojnë që 3 000 vota, që janë vota të administratës, të mësuesve dhe të atyre që punojnë nëpër institucione, ishin të pavlefshme sepse shënimin poshtë e kishin “na detyruan të marrim pjesë në votime”. Pra kjo do të thotë që ata nuk kanë për vete socialistët e ndershëm sepse këta janë një sekt, një organizatë kriminale që quhet “Rilindje”, por që nuk kanë asnjë lidhje as me socialistët. Ndaj, jo vetëm demokratët, por çdo banor i Lezhës do t’i braktisë në këto zgjedhje dhe do të votojë PD-në si alternativën e duhur për të dalë nga kjo krizë ku jemi dhe si alternativën e duhur për ndryshim.

                Qarku i Lezhës në vijimësi ka qenë një bastion i së djathtës, por në zgjedhjet e vitit 2017 u ndryshuan këto balanca, duke pasur një fitore të PS-së. Cilat janë objektivat tuaja në këto zgjedhje?

                 Në fakt, unë nuk dua t’i kthehem fare 2017-s, sepse ishte një fushatë e minuar, një fushatë ku munguan rregullat e barabarta të lojës. Pa dyshim që PS-ja përdori të gjithë arsenalin, bashkëpunoi me bandat, përdori paratë e pista të krimit dhe të drogës. Dhe janë po ato banda, të cilat i kanë marrë peng dhe duan me çdo çmim dhe me çdo mjet që t’ia dalin edhe kësaj radhe. Por nuk do t’ia dalin sepse unë kam bindjen e plotë që Lezha dhe lezhjanët, çdo banor i Kurbinit, çdo banor i Mirditës dhe çdo shqiptar, më 25 prill do ta japë votën për ndryshim sepse ne u detyrohemi fëmijëve tanë dhe 25 prilli është një referendum popullor. Do të jetë dita e gjykimit popullor, ku çdo banor i Lezhës do ta gjykojë me votë këtë qeverisje të Edi Ramës dhe nuk do të lejojë që asnjë orë të vetme, asnjë ditë të vetme të bëhet palë e kësaj keqqeverisjeje, por përkundrazi, do të vijë ndryshimi. Pa dyshim që ne do të marrim 4 mandate dhe po punojmë për mandatin e 5-të. Dhe fitorja do të jetë historike për qarkun e Lezhës, do të jetë fitore e rrallë me një rezultat plebishitar, pasi e meritojnë jo vetëm demokratët, por e meriton çdo banor i ndershëm i qarkut të Lezhës.

                Duke qenë se jeni edhe në koalicion me LSI-në, keni një plan veprimi së bashku? Po bashkëpunoni në këtë fushatë elektorale?

                Në fakt është një marrëveshje për një koalicion paszgjedhor. Secila po punon në kampin e vet dhe po kërkon vota kudo ku të jetë mundësia për të fituar zgjedhjet. Pa dyshim që ne vazhdojmë betejën tonë për maksimalizimin e votës për PD-në. LSI-ja po ashtu vazhdon betejën e saj. Unë shpresoj që t’ia dalim me sukses sepse unë nuk besoj që të ketë më asnjë socialist që kërkon të lërë Rilindjen në pushtet akoma.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?