Politikë

Kandidatja e PD Silva Hasaj në Fier, ‘rekord’ votash pa meritë/ Braho për Report TV: Do shqyrtojmë grupet e numërimit, më pas vlerësojmë për kallëzim penal

1 Korrik, 13:10| Përditesimi: 1 Korrik, 14:43

  • Share

Anëtari i KAS, Ledio Braho, nga Pallati i Sportit “Farie Hoti” ku po rinumërohen votat e qarkut të Fierit, tha se mund të bëjnë kallëzim penal për grupet e rinumërimit që i kanë shtuar në bllok vota kandidates së PD-së, Silva Hasaj, e cila deri më tani rezulton se ka marrë 617 vota të pamerituara. 

Në një intervistë për gazetaren e Report TV, Esiona Konomi, Braho theksoi se së pari do të shqyrtojnë elementët e nevojshëm dhe më pas do të shohin nëse do të procedojnë me kallëzim penal për rastin në fjalë. Në Tiranë, tha ai, nuk kishte lëvizje të tilla që mund të konsideroheshin si penale. 

“Do të shihet rasti i grupit të numërimit nëse janë grupe rinumërimi të njëjta që kanë bërë këto lëvizje apo janë të ndryshme. Por megjithatë kur votat janë në nivele të tilla, çështja duhet parë më në themel. Ne patjetër që do bëjmë ato verifikimet tona me aq sa kemi mundësi nga ça del nga kutitë e fletëve të votimit. Por që të arrijmë një rezultat, duhet të kemi emrat e grupit të numërimit, duhet të shohim kutinë e materialeve zgjedhore. Pra, janë një sërë elementësh që ne do të kërkojmë informacion të mëtejshëm që të kryhet edhe nëpërmjet KQZ dhe në varësi të saj, pastaj do të ketë një qasje nëse do të procedohet me kallëzim penal apo jo. Por duhet të kemi parasysh që tabela e rezultateve nuk është një gjë që është një informacion konfidencial që e ka vetëm KAS apo vetëm komisioneri. Është informacion publik, prokuroria e Fierit i ka të gjithë mundësitë që të nisë.”, u shpreh Braho. 

I pyetur se përse KAS nuk ka marrë ende një vendim për qarkun e Elbasanit, ku PD pretendon se ka pasur tren bullgar, Braho theksoi se do ta shqyrtojnë pasi të mbyllin procesin e rinumërimit. Sipas tij, kur u bë verifikimi i materialeve zgjedhore, PD nuk kërkoi rinumërim, duke shtuar se nuk beson se do të bëjë një kërkesë të tillë tani, duke parë edhe rezultatet e Tiranës dhe të Fierit. 

Sipas tij, nuk ka pasur shtysë nga partitë drejt numëruesve për trafikimin e votave.

“Nuk ka asnjë kërkesë deri tani nga PD. Kjo është shtyrë për arsye që ne mos pezullojmë procesin këtu sepse seanca për shqyrtimin administrativ të Elbasanit të vijojë në ambientet e KQZ, ku bëjmë  mbledhje. Kështu që kemi vendosur që të mbarojmë edhe Durrësin dhe pastaj të zhvillojmë katër seanca për këto katër qarqe. Unë nuk e shpreh votën, sepse nuk e di çfarë pretendimesh do të ngrihen në seancë. Por ajo që mund t'ju them është që në seancën e fundit që është zhvilluar përpara se të vendosej hapja e atyre kutive të Elbasanit dhe 96 qendrave të votimit, kemi qenë të qartë me përfaqësues të PD kur i kemi thënë, jeni të sigurt që doni këto. Sepse ishin të paqartë nëse donin rinumërim apo thjesht këqyrje të materialit zgjedhor dhe fletëvotimit.

Dhe ata ishin të mendimit që donin vetëm këqyrje, dhe u bë për 96 në votimin e Elbasanit. Pra, u bë një konstatim mes fletëve të gjendura në kuti, fletëve të papërdorura. Nuk kanë pasur kërkesë për rinumërim dhe nuk besoj se do të ketë kërkesë për rinumërim pas hapjes, sidomos të qarkut të Tiranës dhe të Fierit. Ajo që mund të kuptojmë ne është që të paktën subjektet zgjedhore nuk kanë pasur një shtysë për numëruesit e tyre që trafikonin votat. Se çfarë është bërë me kandidatët në qarkun e Fierit dhe preferencat që mund të kenë pasur numëruesin për kandidatë potencial në zonat e tyre, kjo është për t'u parë deri në fund", shtoi Braho. 


Lajmi kryesor:

Rinumërimi/ Hapen 79% e kutive të Fierit! PD humb 103 vota, PS-së i shtohen 15! Lapaj s'ka shpresë për të fituar 1 mandat! Kandidatja demokrate Hasaj vodhi 690 vota


Xh.D/SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Si e gjykoni etiketimin në Kuvend të Flamur Nokës 'media vari Kar-lo'?