Në një intervistë për Report TV, kandidatja për deputete e lëvizjes Vetëvendosje Tinka Kurti, u shpreh e bindur se ata do të jenë fitues të këtyre zgjedhjeve.
E pyetur për mundësinë e kandidimit të Albin Kurtit në Zgjedhje, Kurti u shpreh se nuk ka si të ndodhë ndryshe, pasi ai është lideri i kësaj partie dhe ka qenë pjesë e dy legjislaturave të parlamentit pas vendimit të marrë.
“ Ne nuk kemi në dorë akoma një vendim të KQZ-së sa i takon kandidimit të kryetarit tonë Albin Kurti. Deri tani kemi parë nje regjistër të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Vepra për të cilën akuzohet Kurti nuk është në kundërshti me interesin e Kosovës,”tha Kurti.
Kurti u shpreh e bindur se në përfundim të zgjedhjeve të parakohshme të 14 Shkurtit, partia në të cilën ajo bën pjesë nuk do të ketë nevojë as për koalicione pas zgjedhore pasi ata do të sigurojnë shumicën e nevojshme të votave.
E pyetur për ndikimin e Vjosa Osmanit në rezultatin e zgjedhjeve Kurti u shpreh e bindur se do të ketë impakt pozitiv dhe se është pritur jashtëzakonisht mirë nga elektorati dhe mbështetësit e Vetëvendosje.
Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë do të mbahen në 14 Shkurt, në kushte të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë dhe tubimet e mëdha janë shmangur.
Intervista e Plotë
Suada Mehmetaj: Kosova më 14 shkurt do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Aty do të përcaktohet edhe qeveria e re që do të drejtojë vendin në vitet në vijim. Por, për më shumë detaje në lidhje me fushatën zgjedhore dhe se si po përjetohet ajo në Lëvizjen Vetëvendosja, kemi një lidhje direkte me zonjën Tinka Kurti, kandidate në zgjedhjet e 14 shkurtit dhe një nga aktivistet më të mëdha të kësaj lëvizjeje që nga fillimi i saj. Zonja Kurti, faleminderit për këtë lidhje me ne.
Tinka Kurti: Faleminderit juve për ftesën.
Suada Mehmetaj: Zonja Kurti, do të doja të pyesja në lidhje me integrimin e zonjës Osmani në listën e Vetëvendosjes. Si është pritur një vendim i tillë nga Vetëvendosja dhe a mendoni se kjo do të ketë një impakt pozitiv në rezultatin e zgjedhjeve?
Tinka Kurti: Atëherë, bashkëpunimi ishte i mëhershëm, kështu që ardhja e listës së Vjosa Osmanit përbrenda Vetëvendosjes u prit mirë, mund të them, edhe përbrenda Vetëvendosjes, organeve të saj, aktivistëve, anëtarëve, por edhe jashtë Vetëvendosjes, d.m.th. të gjithë personat që merren me publikun e përshëndetën një bashkëpunim të tillë dhe sigurisht kjo do të çojë në një rritje më të madhe të rezultatit sepse është një bashkëpunim që vazhdon prej zgjedhjeve të kaluara, sidomos kur ishte e qartë se Vetëvendosja do të qeveriste bashkë me subjektin që në atë kohë i përkiste Vjosa Osmani. Kështu që rezultatin e dimë se pse ajo nuk u vazhdua, për shkak pra të një akti tradhtie që bëri subjekti i Abdulla Hotit tani dhe pra qeverisja pati një jetë më të shkurtër nga sa e kishte marrë besimin. Dhe tashmë e ka qeverisja që do të udhëhiqet nga Vetëvendosja, se Vetëvendosja ka një shans më të madh pikërisht edhe për shkak të asaj që ka ndodhur, rezultati do të jetë edhe më i mirë për Vetëvendosjen dhe për kandidatët e listës së Vjosa Osmanit që i janë bashkuar asaj të Vetëvendosjes.
Suada Mehmetaj: Zonja Kurti, cilat janë pritshmëritë e Vetëvendosjes për zgjedhjet e 14 shkurtit? A mendoni se në këto zgjedhje ajo do të arrijë të dalë si një forcë e parë e vetme, le të themi, fituese e këtyre zgjedhjeve?
Tinka Kurti: Po, gjithsesi çdo tregues tashmë është duke e thënë të njëjtën, qoftë nga kontakti ynë direkt me qytetarët, qoftë nga të gjitha sondazhet e bëra jo nga Lëvizja Vetëvendosja, e nxjerrin si forcën e parë madje me një rezultat aq të mirë sa ne nuk do të kemi nevojë as për koalicione, as për bashkëpunime të formatit për formimin e qeverisë.
Suada Mehmetaj: Në zgjedhjet e tetorit të 2019-s, Vetëvendosja rezultoi si fituese e atyre zgjedhjeve, por jo mjaftueshëm sa për të krijuar e vetme qeverinë dhe u detyrua të bënte një koalicion me LDK-në e cila brenda pak muajsh, le të themi, u prish dhe krijoi qeverinë Kurti që ishte qeveria më jetëshkurtër në historinë e vendit. A mendoni se në përfundim të këtyre zgjedhjeve një koalicion me LDK-në apo me PDK-në është i mundshëm? Apo ku është më afër Vetëvendosja?
Tinka Kurti: Po, siç e thashë vetëm pak më herët, një koalicion ose çfarëdo koalicioni, asnjë koalicion nuk është fare i nevojshëm, bazuar në rezultatin që do të ketë Vetëvendosja në këto zgjedhje, pra në zgjedhjet e 14 shkurtit sepse Vetëvendosja do të ketë mundësi që të krijojë qeverinë e vetme, pra pa i pasur nevojën asnjë partie, partisë tjetër. Ky rezultat përpos pritshmërive, d.m.th. një tregues tjetër është edhe rezultati në Komunën e Podujevës, ku janë mbajtur zgjedhjet në nëntor. Aty është shënuar fitore gati në 52%. Ne presim që të kemi shumicën dërrmuese në parlament dhe tashmë nuk është duke u diskutuar asnjë mundësi koalicioni pikërisht për faktin sepse nuk është e nevojshme.
Suada Mehmetaj: Kërkesa e Vetëvendosjes për shpalljen të paligjshme të votës së deputetit Et’hem Arifi bëri ose ishte edhe shkaku i rënies së qeverisë Hoti. Sa e konsiderojnë atë si një fitore të madhe, le të themi, të Lëvizjes Vetëvendosja apo po konsiderohet tani si një goditje që iu dha deri diku kreut të kësaj lëvizjeje Albin Kurti, për faktin se akoma vihet në dyshim a do të jetë ai në gjendje të kandidojë si deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Tinka Kurti: Pikësëpari, gjykata e vonoi aq shumë vendimin për kërkesën që kishte bërë Vetëvendosja, që të përgjigjej për atë kërkesë, sa i mundësoi pra një qeverie të paligjshme një jetëgjatësi shumë më të gjatë sesa e meritonte. Kështu që Gjykata Kushtetuese duhej të përgjigjej sa më shpejt që të mos i mundësonte jetën një qeverie që tashmë ne e dinim që ishte e paligjshme dhe për këtë kishim bërë atë kërkesë dhe më pas, ajo në vendimin e saj u përgjigj për diçka të cilën nuk e kishim pyetur fare, pra mori një vendim në lidhje edhe me veprat e tjera, nëse ka vepra penale gjatë 3 viteve të fundit. Kësisoj, tashmë jemi në një situatë krejt para zgjedhjeve të përgjithshme, zgjedhje të jashtëzakonshme e të nevojshme, të kërkuara që prej kohësh prej Lëvizjes Vetëvendosja dhe në këtë moment politik bartës i listës sonë zgjedhore është Albin Kurti.
Suada Mehmetaj: Por a mendoni se kjo gjë mund të sjellë në një precedent të ngjashëm me atë çfarë ndodhi me zotin Arifi sepse vetë fakti që për kreun e Vetëvendosjes, zotin Kurti, ka pasur një dënim në 2018-n, në shtator të 2018-s, që i bie në intervalin kohor të 3-vjeçarit që nuk ka kaluar akoma. A mendoni se, në qoftë se zoti Kurti do të shkonte në zgjedhje, do të ndodhte një precedent i ngjashëm?
Tinka Kurti: Pikësëpari, ne ende nuk kemi një vendim të Komisionit Qendror Zgjedhor në lidhje me kandidimin ose jo të kryetarit tonë të Vetëvendosjes, zotit Albin Kurti. Kështu që duhet një vendim i tillë dhe ky pritet të merret sot. Duhet një vendim i tillë që të dimë pra se cili është vendimi i KQZ-së, a i lejohet ose jo. Deri tani çfarë kemi parë është vetëm një regjistër nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që flet për ata të cilët kanë vepra penale në 3 vitet e fundit. Ne gjithmonë duhet ta bëjmë dallimin se vepra për të cilën flitet Albin Kurti pra është në të mirën e Kosovës, është në dobi të Kosovës, nuk është vepër korruptive apo diçka e ngjashme, përkundrazi madje. Ai nuk i ka marrë asgjë Kosovës, përkundrazi, i ka dhënë. Kjo është një çështje. Tjetra, që duhet të vihet në vëmendje është se vepra është e vitit 2015. Ndërkohë, deri më tani, d.m.th, nuk ka ndodhur ndërmjet kësaj kohe asgjë tjetër, d.m.th. në lidhje me veprën, pos që janë mbajtur dy palë zgjedhje të përgjithshme ku Albin Kurti jo vetëm që ka garuar, por ka qenë prijës i listës, bartës i listës dhe ka qenë në këto dy palë zgjedhje personi më i votuar në Kosovë. Dhe ajo që pritet tashmë është shënimi i të gjitha rekordeve të tij, kështu që ky vendim ose kjo tentativë për ndaljen e tij në garimin në zgjedhje është përpjekje që të mos dëshmohet rritja e madhe që ka Albin Kurti në këtë kohë.
Suada Mehmetaj: Zonja Kurti, në qoftë se Vetëvendosja rezulton si fituese e këtyre zgjedhjeve të jashtëzakonshme më 14 shkurt, cilat janë sfidat që e presin qeverinë e re të Vetëvendosjes dhe cilat do të jenë masat e para ose ndërhyrjet e para të qeverisë?
Tinka Kurti: Po, Vetëvendosja do të qeverisë vendin pas rezultatit të zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, kjo është ajo që di me siguri edhe nëse gjithçka tjetër ka pikëpyetje. Sigurisht që qeverisja dhe vendi do të merret me një gjendje mjaft të keqe, ku gati secila sferë tashmë është para një kolapsi, kështu që sfidat sinqerisht do të jenë të mëdha, por fokusi dhe prioritetet tona do të jenë sigurisht ekonomia, gjyqësia. procesi i vetting-ut do të luajë një rol kyç në qeverisjen tonë si garanci për funksionimin edhe të shumë sferave të tjera. Por patjetër që do të jetë edhe shëndetësia dhe arsimi. Kurse te shëndetësia ne kemi ndjeshmëri të lartë për situatën pandemike dhe qeverisja Kurti, për aq kohë sa qeverisi, pra në ato 50 ditët e jetëgjatësisë së saj, është shquar për menaxhim të suksesshëm me pandeminë dhe me virusin Covid-19. Kështu që ekonomi, shëndetësi dhe gjyqësi janë prioritet. Ne kemi publikuar të pesë shtyllat e qeverisjes sonë alternative, pra ku janë këto të tria, por edhe diplomacia, edhe arsimi.
Suada Mehmetaj: Zonja Kurti, do të doja të pyesja edhe diçka. Sa e vështirë do të jetë për ju dhe, le të themi, për të gjitha subjektet partiake, që të vazhdoni një fushatë zgjedhore në këto kushte të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë. Si e planifikoni që ta zhvilloni fushatën? Si do të jenë takimet elektorale që do të mbahen dhe a do të respektohen këto masat kufizuese për të evituar një rritje të numrit të rasteve?
Tinka Kurti; Gjithsesi, tashmë ato aktivitete dhe organizime që po mbahen janë në respektim me masat anticovid-19. Kemi ndjeshmëri për situatën pandemike. Në fushatë është duke na ndihmuar tashmë përvoja e krijuar, një përvojë e vyeshme, gjatë zgjedhjeve në qytetin e Podujevës, pra që u mbajtën po ashtu gjatë kohës së pandemisë. Kësisoj, ajo përvojë po na ndihmon. Kështu që ka tubime në përputhje me këto masa dhe rregulla, që d.m.th, ka vetëm tubime shumë të vogla, nuk do të ketë tubime të mëdha. edhe takimet po ashtu, me të gjitha masat e nevojshme. Këtu dua të them, që për nga subjektet e tjera, tashmë ka subjekte që janë duke marrë dënime të shqyrtuara nga institucioni që merret me këtë punë.
Suada Mehmetaj: Zonja Kurti, shumë faleminderit për këtë intervistë dhe uroj që të dëgjohemi sërish gjatë gjithë kësaj fushate dhe edhe pas përfundimit të zgjedhjeve për të festuar dhe për të analizuar rezultatet e 14 shkurtit.
Tinka Kurti: Ju faleminderit shumë për mundësinë dhe mirupafshim!