Burbuqe Islami, kandidate për deputete e Partisë Socialdemokrate, thotë se ka vendosur të hyjë në politikë për të sjellë një model ndryshe të përfaqësimit. Në një intervistë për Report TV me gazetarin Nertil Agalliu, ajo thekson se është praktikante e besimit islam që në fëmijëri, por kandidimi i saj nuk lidhet me fenë, por me parimet dhe përvojën e saj në administratën publike.
“Që në moshë të vogël, jam praktikante e besimit islam. Jam rritur me besimin islam. Jo se unë kam mbaruar teologji, por kam zgjedhur të besoj sjelljen për të transmetuar sa bukur është islami dhe jo komunikimin për të tjerët se çfarë është feja islame. Arsyeja përse vendosa të kandidoj, nuk lidhet me besimin tim islam. Lidhet me parimet e mia si individ dhe me përvojën time në administratën publike”, tha Islami.
E rritur me besimin islam, Islami thekson se kandidimi i saj nuk lidhet me përkatësinë fetare, por me parimet dhe përvojën e saj profesionale.
“Më është bërë oferta për të qenë kandidate. Ishte vendimmarrje e vështirë, qoftë nga paragjykimet, qoftë nga pjesa se si funksionon politika. Politika në Shqipëri sot është një kaos, kriminelët e vërtetë janë brenda zyrave të administratës dhe Parlamentit shqiptar. Kam marrë guximin të jem përfaqësuese në Kuvend, për të dhënë një model se si duhet të jetë një politikan. Sot Shqipëria është po në atë gjendje që ka qenë”, thekson Islami.
Si pjesë e PSD-së, ajo thekson se partia e saj garon e vetme dhe nuk ka lidhje me PS-në apo PD-në. Ajo mbështet SPAK-un dhe thotë se vota e saj në Kuvend do të jetë gjithmonë pro drejtësisë.
“Në eksperiencën time si administratore e aseteve kriminale pranë Ministrisë së Brendshme prej 9 vitesh, pozicioni i punës më ka lidhur me institucionet e Shqipërisë, drejtuesit dhe specialistët. Arsyeja përse kam vendosur të kandidoj është se nuk mund të isha spektatore e padrejtësive. Kartoni im do përdoret vetëm për interesat e qytetarëve dhe jo të oligarkëve. PSD garon e vetme, nuk është as me PS dhe as me PD”, thotë Islami.
Islami shprehet se PSD synon 15 mandatë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
“Më 15 kandidatë siç ne pretendojmë të kemi në Kuvend, patjetër që jemi shumë të rëndësishme dhe votat tona do të jenë të rëndësishme. Vota ime do jetë gjithmonë pro SPAK, jo shkrije. Madje dhe partia që unë përfaqësoj do jetë pro SPAK, që në Shqipëri të bëhet drejtësi dhe të gjithë të korruptuarit të japin llogari para institucioneve të drejtësisë”, vijon ajo.
Komente
