Përfaqësuesi i Koalicionit “Djathtas për Zhvillim”, Enkelejd Alibeaj e gjen ‘fajin’ te ligji për strategjinë e tij për të përfshirë familjarët në listat e sigurta.
Në një reagim në lidhje me lajmin e Shqiptarja.com, Alibeaj pranon se është dakordësuar me kandidatët e listës së hapur për të përfshirë familjarët në të sigurtën, duke thënë se ‘ligji i keq të detyron të bësh strategji’. Më tej, ai shton se ata do të dorëhiqen.
Postimi i Alibeajt:
LISTA TË HAPURA 100%!
Ligji i keq të detyron të bësh strategji ! E kam thënë që në 26 korrik 2024 kur pazari Rama-Berisha mbylli listën! Për këtë arsye, familjarët në listën e mbyllur, me garancinë për t'u dorëhequr pasuri.
Po, është e vërtetë! Pas konsultimit me 37 kandidatët e listës së hapur, vendosëm si koalicion që familjarët ishin në listën e mbyllur.
Nga ana ime, vendosa Nëna Valin, Gean dhe Megin deri ne rregjistrimin e listave. Por, kaq ishte momenti i lavdisë… dhe i stresit të tyre!
Nesër, dorëhiqen! Me gëzim madje!
VO: … unë e di sa u lodha t'i mbush mendjen Megit të futej në listë! Imagjinoj çlirimin e saj nesër!
Shqiptarja.com publikoi një ditë më parë listën e kandidatëve ku emri i vajzës së madhe të kreut të partisë ‘Djathtas 1912’, Gea Alibeaj është vënë e 5-ta në listë.
Vajza e dytë, Meg Alibeaj është e 11-ta, ndërsa e renditur e 7-ta është Valentina Hamza Alibeaj, 74 vjeçe, mamaja e kryetarit të partisë. Vetë Alibeaj është renditur në listën e hapur i pari.
Lajmi kryesor:
Enkelejd Alibeaj i 'Djathtas 1912' kandidon familjarë në zgjedhjet e 11 majit! Fut dy vajzat dhe mamanë në listë të sigurtë të qarkut të Tiranës
Xh.D/SI.E./ReportTv.al
