KOSOVË- Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka dhënë dorëheqjen ditën e sotme nga posti i ministrit. Kjo dorëheqje erdhi për shkak se Vitia kandidon për kryetar komune në Prishtinë. Lajmi është bërë me dije nga vetë Vitia përmes një konference për shtyp, ndërsa theksoi se postin do t’ia kalojë zv.ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha.
“Detyra e ministrit të shëndetësisë është në vetvete një detyrë me privilegj dhe përgjegjësi të lartë. Mua mu dha besimi nga kryeministri Kurti dhe pata privilegjin që t’i shërbejë me gjithë fuqinë që disponojë popullit që i përkas në një kohë të vështirë, të dhimbshme dhe me sakrifica. U jam mirënjohës për jetë për besimin e dhënë dhe mbështetjen e dhënë. Jo përvojë na ka transformua të gjithëve pa përjashtim. Por mbi të gjitha në aspektin njerëzor kjo ka qenë pasuria më e madhe që e kam përfituar si qenie njerëzore, mjek, si politikan, si qytetarë i atdheut tonë të përbashkët. Unë sot po e përmbyll angazhimin tim në këtë detyrë me të cilën më pati ngarkuar kryeministri Kurti ndaj të cilit do të jem mirënjohës jo vetëm për besimin por edhe përkrahjen e parezervë. “Unë po ia transferoj përgjegjësinë stafit të ministrisë dhe në nivelin politik, zëvendësministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha me bindjen e thellë se puna dhe angazhimi do të vazhdojnë në plotëni”, u shpreh Vitia.
Arben Vitia tha se tani e tutje fokusin do ta ketë tek kryeqytetit meqë tashmë synon të jetë kryetar i komunës së Prishtinës.
“Tani e tutje do të jem pjesë e një ekipi tjetër që ka në fokus kryeqytetin. Do të jem kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës, sepse ne jemi në një moment kritik ku nga ne priten të merren vendime të guximshme të transformimit tona, në qytetet të shëndetshme e të jetueshme e me zhvillim të qëndrueshëm”, tha Vitia.
Zgjedhjet vendore në Kosovë do të mbahen më 17 tetor, ndërsa Arben Vitia kandidon me Vetëvendosjen.