Tre të rinj kanë kërcënuar me një armë lodër një 38-vjeçar, pas një konflikti për motive të dobëta. Për pasojë dy nga të rinjtë janë vënë nën hetim, ndërsa bashkëpunëtori i tyre 17-vjeçar është shpallur në kërkim.
E. D., 20 vjeç, banues në Elbasan dhe një 17-vjeçar janë vënë nën hetim, ndërsa një tjetër 17-vjeçar është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për shkak të një konflikti për motive të dobëta, kanë kanosur me pistoletë lodër dhe shkop metalik, një 38-vjeçar.
Po të njejtat burime, njoftojnë se Policia Elbasan ka vënë në pranga një 43-vjeçare me iniciale M. D., pasi dyshohet se brenda një kolektori të Ujësjellësit, Elbasan, në lagjen "5-Maji", ka dëmtuar disa tuba të ujit të pijshëm.
Ndërsa një 42-vjeçar me iniciale Sh. Ç., u arrestua në flagrancë, pasi u kap nga Policia Rrugore duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Elbasan, për veprime të mëtejshme.