Kaosi i djeshëm në Parlament dhe djegia e karrigeve nga deputetët e opozitës

Kaosi dhe zjarri para Parlamentit, Kuvendi: Deputetët shkaktarë do paguajnë dëmin, do u mbahen nga paga! Karriget të paguara me taksat e qytetarëve, jo të tyret!

1 Tetor, 13:00| Përditesimi: 1 Tetor, 13:08

  • Share

Kaosi, dhuna dhe zjarri që iu vendos dje karrigeve, brenda dhe jashtë parlamentit të Shqipërisë, ka sjellë reagime të faktorit diplomatik ndërkombëtar, nisje të hetimeve policore, por jo vetëm.

Një masë është marrë edhe nga vetë Kuvendi, i kryesuar nga Elisa Spiropali, e cila ka urdhëruar ngritjen e menjëhershme të një grupi pune, për të vlerësuar dëmet ekonomike me inventar dhe më pas për t’ia faturuar deputetëve përgjegjës të filmuar në skenën e dhunshme të ditës së djeshme (30 Shtator).

Kuvendi sqaron se këto dëme do paguhen nga vetë deputetët opozitarë (deri tani numri i tyre 24 ligjvënës të dyshuar, listë për përjashtim e dorëzuar edhe nga PS për masë disiplinore).

“Veprimet e ndërmarra nga deputetët e përfshirë, përmes goditjes me sende të forta ndaj personave të tjerë dhe djegies, shkatërrimit dhe dëmtimit të pajisjeve në sallën e seancave plenare, kanë shkaktuar përveç veprave penale edhe dëmtime të rënda të pronës publike”, njoftoi sot Kuvendi.

Më tej sqarohet se një grup pune i posaçëm është ngritur për të kryer edhe inventarin e dëmeve të shkaktuara.

“Kuvendi i Shqipërisë, ka ngritur një grup pune për të bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara dhe në përfundim të këtij vlerësimi, deputetët e përfshirë do të ngarkohen me përgjegjësinë e dëmshpërblimit të plotë financiar. Karriget e djegura prej tyre nuk janë të tyret, po janë të popullit shqiptar dhe janë blerë e mirëmbahen ashtu si edhe të gjitha pajisjet e tjera, me taksat e shqiptarëve. Zëvendësimi i plotë i tyre dhe i çdo pajisjeje tjetër të dëmtuar do të bëhet ekskluzivisht me të ardhurat që do t’u mbahen nga paga deputetëve të përfshirë”.

Në fund, Kuvendi i Shqipërisë “u kujton të gjithëve se ky institucion është besimi dhe vullneti i popullit dhe populli nuk është një karrige që digjet, po është Sovrani që shërbehet deri në fund nga Kuvendi për besimin dhe vullnetin e Tij”.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • asolingo: 01/10/2024 13:29

    Nuk mjafton vetem dëmi ata nuk duhet te hyjne me ne parlament.Parlamenti nuk eshte as i PS dhe as i PD eshte i popullit shqiptar nuk ka te drejte asnje ta prish apo ta djeg.Nuk mban me uje pilafi,nuk jemi ne mesjete o zoterinj shpellare.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?