Kaosi harmonik i piktorit Admir Përvathi, dy kahet e përjetimit njerëzor

19 Tetor 2019, 08:51| Përditesimi: 19 Tetor 2019, 09:48

  • Share

Kaos, ngjyra dhe shpërthime mimikash nga imagjinata… nuk ekzistojnë filtra, as kufinj nuk ka, gjithçka shfaqet në mënyrë të drejtpërdrejt, e qartë plot dritë me gjurmë herë-herë hermetike brenda kornizave të vetë kanavacës, por e gjitha e zhveshur lakuriq në gjendjen e saj më profane .

Vështrim ky, i cili të shpie në një hapësirë të rrëmujshme në pamjen e parë, gati të pakuptueshme, por me ekzistencën e saj përcjell një harmoni vlerash artistike që nuk i përkasin as abstraksionizmit të Pollock dhe as ekspresionizmit abstrakt të Rothko. E vërteta është se njohja me vetveten mbetet një nga dukuritë më të ndërlikuara, jo vetëm për qenien artist, por për çdo individ dhe konkretizimi në realitet për atë çfarë je...! Dhe piktori Admir Përvathi e ka arritur këtë, duke materializuar mbi kanavcë mes kaosit shpërthyes shumëngjyrësh atë çfarë ai është dhe jo çfarë koha dikton

Në pikturën e tij duket sikur ai vendos të fshehë nën trashësinë e shtresave të bojës së vajit poezi enigmatike që burojnë nga kaosi imagjinar, ngjyra që ulërijnë shpresë, mimika fantazmash që thërrasin në vëmendjen tonë dy kahe të përjetimit njerëzor, të keqen dhe të mirën, dëlirësinë e një shpirti të mbetur pezull apo shpirtërores si përmasë hyjnore! Format e shpërbëra, përplasje ngjyrash si vetëtimat e Kryehyut Zeus i japin kutpim dhe dukjes së pakuptimtë, aq sa përcjellin emocione ngashëryese, kuptime të cilat të lartësojnë drejt mendimeve mistike të kujtesës Rimbaudiane.

 Në pikturën e Admir Përvathit ka gjasa që teoria e kaosit ka gjetur terrenin e vet më të përshtatshëm, aq sa imazhet që ai krijon duken si shëmbëlltyrat e çrregullësisë nga ku ka zanafillë rregulli i kozmosit. Një pikturë brenda së cilës ekziston një organizim i mirfilltë i kaosit, i cili i lejon çrregullësisë kaotike të ngjyrave të prodhojnë e shpërfaqin skema të rregullta të cilat përsëriten ashtu si në rregullësinë e përsosur të Univesit.

Në çrregullësinë e formave artisti arrinë të krijojë dhe të formojë rregullsinë e vetë gjërave, elementeve përbërës të vepërës së tij

Kjo qasje e piktorit Përvathi (junior) evidenton gjendjen e tij emocionale, ndjesore, përjetuese të çastit, nga ku padyshim kthehet në një veprim ekspresiv si pasojë e një “krize”-shpërthimi brenda pavetëdijes për t’u shprehur nëpërmjet përzierjeve të ngjyrave dhe efekteve të papritura që lindin nga ky veprim, ku ajo çfarë ai pikturon është po i njejti art figurativ, por jo më me përmbajtje realiste se sa me dinamikën e action painting për të krijuar imazhin e ndjenjave të tij mbi kanavacë.

Përvathi ka një marrëdhënie të drejtpërdrejt me kanavacën dhe materien, shpeshherë agresive, i lëviz përreth asaj me nerv, duke vendosur në veprim të gjithë qenien e tij, trupin e tij, ku kompozimi i njollave të bojës është i mire studiuar në çdo hap për të mos rënë në përsëritje të vetvetes dhe qendruar i freskët, aq më shumë ndjellës.

“Kaosi është vetëm një rregullsi që prêt të jetë i deshifruar”, J. Saramago – dhe kjo shprehje gjenë hapësirën më të mire për deshifrimin e njollave të KAOSIT HARMONIK në pikturën e Admir Përvathit […].

*Autori i shkrimit është historian & kritik arti

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?