Ish-deputeti demokrat Dashnor Sula ka kritikuar sjelljen e opozitës në Parlament në seancën e javës së kaluar, kur për shkak të kaosit të tyre dhe hedhjes së kushtetutës dhe librit të rregullores drejt qeverisë, Kuvendi miratoi me shpejtësi programin qeverisës.
Në një postim në Facebook, Sula e konsideron sjelljen e opozitës si autogola që i bën vetes.
Ndërsa pikërisht për kaosin që shkaktoi në Parlament, Dashnor Sula zbulon se 70-80% e deputetëve të opozitës ishin kundër asaj që ndodhi. Sipas tij, vetëm 3 persona e mbështesnin atë sjellje; kryedemokrati Sali Berisha, Sekretari i partisë dhe kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi.
Sipas ish-deputetit Sula, pasi opozita e shkatërroi vetë seancën plenare ku do të diskutohej programi qeverisës i ‘Rama 4’, bëri autogol kur më pas kërkoi ripërsëritjen e seancës.
Postimi në Facebook i Dashnor Sulës:
Autogolat e një opozite të ndryshkur!
Këtë fillim javë në orën 11, Kryetari i Parlamentit, Niko Peleshi paska thirrur në Konferencë Kryetaresh kryesinë e vogël të PS dhe PD për të diskutuar mbi emrat qe do jenë në komisione.
Pra, Partia Demokratike e cila i hoqi shansin vetes për të“çjerrur maskën e propagandës” qeverisë duke zbërthyer problemet e programit, sot do ulet në një tryezë me Niko Peleshin që bën sikur do ta shkarkojë. Pra, pasi bënë sikur ishin të revoltuar me Diellën dhe Nikon, sot këtij të fundit do i luten: më vendos këtë deputet në komision e atë deputet në një komision tjetër. Na jep një zyrë këtu e një zyrë aty. Na fut në punë këtë e hiq atë. Ndërkohë shqiptarët nuk morën vesh asgjë nga program i qeverisë, nëse do të rritet pensioni, rroga, a do ketë më shumë investime pasi ata që duhet të tregonin se janë ndryshe nga ata që i akuzojnë se shkelin ligjin, vetë flakin KUSHTETUTËN DHE RREGULLOREN duke treguar zero respekt për Kushtetutën e vendit.
Në mes të gjithë kësaj situate absurde të një opozite të ndryshkur në ide dhe me zero respekt për Kushtetutën, mësova një informacion pozitiv: Në mbledhjen e grupit të PD pas seancës së të enjtes, 70-80% e deputetëve kishin qenë kundër sjelljes së kolegëve të tyre që hidhnin kushtetutën si rreckë para ambasadorëve e që i hoqën mundësinë e pakët për të sulmuar Ramën në prezencën e tij. Të vetmit që mbështesnin atë që ndodhi më thonë se ishte, kryetari i PD, Sekretari i Përgjithshëm dhe Kryetari i Grupit të PD.
Zero surprizë për këtë fakt. Të tre ata që pëlqyen dhe shkaktuan atë skenë të enjten e kaluar kërkojnë rrëmujë në mënyrë që të shmangin llogaridhënien e të ruajnë statuskuonë.
1-Kryetari i Partisë Demomratike kërkon vetëm rrëmujë që të mos i kujtojnë “Nenin Basha”.
2-Sekretari i Përgjithshëm, i falet në gjunjë kryetarit të partisë, vetëm që të qëndrojë numri dy i partisë e të mos lejojë njeri të sulmojnë ata që mbron ai.
3- Kryetari i Grupit kërkon amulli që të merren të gjithë me zhurmat kot dhe të mos përmend njeri se drejton grupin një njeri që s’drejtonte dot as ekipin në fushatë.
Me pak fjalë nuk iu intereson se qytetarët nuk morën vesh se cfarë kishte programi, por u intereson amullia që të ruhet statuskuoja. Të tre e dinë shumë mirë se në një politikë normale analiza do bëhet te rezultatet ndaj i qëndrojnë larg.
Më e keqja është se në këtë budallallëk janë edhe arrogantë. Pasi shpërdoruan mundesinë per të demaskuar qeverinë e re, bëjnë një mbledhje në seli dhe dalin me vendim politik: I lutemi Niko Peleshit ta ripërsërisë edhe një herë atë seancë. Si intereson fare se dalin qesharakë. Bëjnë vetëm autogola.
Përballë një mazhorance kaq të madhe dhe në mandatin e 4, duhet një opozitë e ndershme, një opozitë me ide dhe alternativa në mënyrë që ta kontrollojë, jo një opozitë që ka kryetar një njeri që as një kredi nuk merr dot e jo më të qeverisë vendin.
Komente
