Tiranë- Komisioni i Medias nis procedurat e shkarkimit të Këshillit Drejtues të RTSH-së, për parregullsitë e gjetura në procesin e dështuar të garës dhe përzgjedhjes së drejtorit të ri të televizionit publik. Kërkesa u miratua me unanimitet nga PD-PS dhe procedurat nisin nga nesër.
Ky vendim doli nga diskutimet e mbledhjes së sotme (10 Shkurt), si dhe dakordësisë mes PD-PS, që konstatuan shkelje të rënda, që nga mosdijenia e kompetencave nga anëtarët e Këshillit, te procedurat, kontratat dhe deri konflikti i interesit.
Kryetarja e Komisionit, Ina Zhupa e bëri deklaratën në emër të Kryesisë, teksa theksoi se nuk janë zbatuar në vite rekomandimet e Kuvendit. Sipas saj, anëtarët e Këshillit drejtues të RTSH ishin të painformuar, por nuk i shpëton mosdija nga shkelja e ligjit.
“Nuk dinin kompetencat e detyrave të tyre, madje kërkuan t’ia bënim ne statutin (pra Kuvendi)) Ka konflikt interesi (kemi shkresa zyrtare që e konfirmojnë). Pas dëgjesës në komision 2 anëtarë dhanë dorëheqjen, Genci Përmeti, Gëzim Podgorica (do vazhdojmë me procedurat e zëvendësimit)”, tha Zhupa mes të tjerash.
Gjithashtu u theksua se kanë përfituar personalisht ose familjarë nga fondet e RTSH me kontrata dhe projekte të ndryshme, ose kanë të punësuar familjarë. Një tjetër konstatim nga anëtarët e Komisionit të Medias ishte se në RTSH ka munguar edhe transparanca e shpenzimeve (nuk janë publikuar raporte).
“Kryesia vlerëson se Këshilli është në shkelje të ligjit, cenon integritet imazh të RTSH dhe ndodhen në kushtet e shpërdorimit të detyrës, neni 115 i Kuvendit. Ju ftojmë të vëmë në lëvizje këtë nen për shkarkimin e anëtarëve – të miratojmë këtë raport për të vazhduar hapin e procedurës dhe për t’iu drejtuar kryetares së Kuvendit për të shkarkuar 9 anëtarët e këshillit, duke qenë se 2 të tjerët dhanë dorëheqjen”, tha Zhupa.
Në fund u miratua me unanimitet nga Komisioni i Medias kërkesa për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit drejtues të RTSH.
Zhupa u shpreh:
“Nga sot do të nisim procedurat për shkarkimin e anëtarët e këshillit drejtues të RTSH, raporti final do hartohet nga dy relatorë, një nga mazhoranca dhe një nga opozita. Nesër nisin dëgjesat për anëtarët e këshillit të RTSH, sipas rendit alfabetik”.
Kurse deputetja e PS, Evis Kushi, duke vënë theksin e rishikimi i kuadrit ligjor, tha:
“Duhet të fillojmë një proces të rishikimit të kuadrit ligjor, ka qënë një rast i përsëritur dhe duhen marrë masa. Mendoj edhe të rishikojmë ligjin ose statutin ose kodin e etikës, të shohim në detaje të gjithë kuadrin ligjor për të parandaluar shkelje të tilla në të ardhmen”.
Deputeti tjetër socialist, Petro Koçi ritheksoi nevojën për reformë të thellë.
“Ka nevojë për një reformë më të thellë. Formula aktuale është politike dhe ka nevojë për një tjetër, për mënyrën si propozohen dhe votohen në Parlament anëtarët e këshillit drejtues. E meta kryesore është formula politike. Duhet rishikuar formula. Procedurat për shkarkimin dhe zgjedhjen e këshillit të ri drejtues të RTSH do të kërkojë kohë. Kjo reformë do t’i takojë Parlamentit të ri”, u shpreh ai.
Komisioni i Medias ka hartuar edhe një Raport me shkeljet e konstatuara në procedurën e përzgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm të RTSH.
Komente
![](https://report-tv.al/template/img/antipiracynote.jpg)
Zhulsia e kombinatit...
PërgjigjuNeni 1: Ne zgjedhjen e Keshillit te ri drejtues nuk duhet te perfshihen partite. Neni 2.Zgjedhja e Keshillit Drejtues duhet te behet me votim te fshehte, ku te marrin pjes te gjithe punonjesit e RTSH.
Përgjigju