Politikë

Kaosi në selinë blu dhe zgjedhjet/ Kara: Basha i paralajmëroi deputetët se do zhgënjeheshin, Berisha nuk do mbështetës të SPAK në parti! Do ishte mirë që kjo PD të shkrihej fare

12 Mars, 17:25| Përditesimi: 12 Mars, 17:54

  • Share

U desh momenti i listave për kandidatët për deputetë që shumë prej senatorëve të Partisë Demokratike të kuptonin lojën e kreut të tyre Sali Berisha dhe se nuk janë pjesë e llogarive të tij për në Parlamentin e ardhshëm.

Tensionet në selinë blu janë të larta teksa po diskutohen emrat nga Kryesia, por ‘bomba’ në PD tashmë ka plasur, teksa ishte deputeti Dashnor Sula që hodhi kritika të forta ndaj Berishës, Nokës dhe Vokshit.

Juristi Romeo Kara, nga ‘Studio Live’ ditën e sotme, u shpreh se kjo situatë në PD pritej që të vinte dhe tani vetëm sa u bë më e dukshme. Ai shtoi për Report Tv se edhe rastin e Dashnor Sulës e kishin paralajmëruar se do ndodhte, pasi ai është një mbështetës i SPAK dhe Berisha nuk i dëshiron në grupin e tij këta ligjvënës. Por duke pasur synimin në fillim përçarjen e Lulzim Bashës ai i pranoi në PD grupin e ‘rebelëve’ dhe tani po i lë jashtë.

Kara shprehet se Basha i kishte paralajmëruar deputetët ‘tradhtarë’ që shkuan te Berisha se do të zhgënjeheshin, por tani është shumë vonë.

“Ka një farë të drejte Dashi në këtë pikë, por shumë vonë sepse ne e kemi paralajmëruar. Bie perdja dhe hapet skena e tërë. E gjithë parada e PD-së me primaret dhe listat. E kemi thënë, Berisha ka probleme me ata që vajtën për 10 muaj poshtë shtëpisë. Duke ditur kush është Berisha, se vërtetoi se nuk është ai për ato që thotë, por për ato që bën. Rasti i Sulës që ishte me Bashën dhe u afrua te Berisha, që mendohej se janë afruar për konsiderime të tilla, por Berisha nuk u ka premtuar dhe pasi përçau Bashën, tani po tregon Berishën e vërtetë. Sa i përket Nokës e Vokshit, ata janë zëdhënësit dhe zbatuesit e urdhrave të tij, por ai që është kryesori është Berisha. Ai që e njeh mirë Berishën është Basha, që i paralajmëroi hershëm dhe u tha se do vinte dita që do zhgënjeheshin dhe të mos e hanin karremin”, tha juristi për Report Tv.

Por kjo situatë brenda kampit blu tregoi edhe njëherë se sa paradë dhe farsë ishin Primaret e zhvilluara, që tashmë janë zhvlerësuar. Kara thotë se do ishte mirë që PD-ja të shkrihej fare, ose të rrijë aty ku është bashkë me Berishën.

“Kjo është listë bunker, ka vetëm mbështetës të Berishës. Nuk mbeti Berisha në moshën 84 vjeç për t’u bërë demokrat. Tani ka rënë ligjshmëria e primareve, kjo opozitë nuk vjen me formulë primaresh, por pretendojnë pushtetin si parti berishiane, detashment dhe për të mbrojtur interesat e Berishës. Dashi ishte pro SPAK, kurse Berisha vjen me mendjen anti-SPAK, se i ka hipur kalit mbrapsht dhe ka hall të dalë kundër drejtësisë dhe jo njerëz si Dashi. Ai do njerëz që kanë dhënë provat dhe janë me të, jo të lëkundur. Berisha është i pandryshueshëm, PD e pandryshueshme, e mira është të rrijë ku është, madje e mira do ishte të shkrihej fare”, theksoi Kara.

Ora 17:42
Listat e PD për zgjedhjet/ Hoxha: Karma e Bashës, Tabaku ka dalë e përlotur nga selia! Berisha i gënjeu, do emra të tjerë pas 12 majit! Do ketë të tjera surpriza

 

Gazetari Poli Hoxha tha se do ketë të tjera surpriza në vijim me emra të njohur deputetësh që lanë Lulzim Bashën dhe iu bashkuan Sali Berishës në PD.

Ai u shpreh për ‘Studio Live’ se përveç Dash Sules, edhe Jorida Tabaku është parë e përlotur duke dalë nga selia e PD-së, teksa do të jetë në listën e hapur.

Sipas tij, Berisha i gënjeu dhe për parlament ka ndërmend të ketë emra të tjerë në Parlament, duke i spostuar ish-mbështetësit e Bashës.

“Prisni, se surpriza vjen nesër pas shpalljes së listës. Jorida Tabaku është parë duke dalë nga selia me lotë në sy. Edhe Berisha e tha se mund të përmbysej lista e primareve dhe do kishte korrigjime. Nuk kishte surprizë për mua, por ajo që vihet re se këta që kaluan rubikonin dhe shkuan te Berisha, i ndryshuan dhe ndihmuan imazhin atij, edhe me ndërkombëtarët, tani janë përballë rrezikut. Berisha të gjitha lëvizjet që ka bërë në atë kohë, i ka bërë për veten, pas shpalljes non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe, problemet janë ende aty, pavarësisht se thuhet se është zbutur imazhi në SHBA. Nëse Berishës nuk i duhet pas 12 majit ai nuk i fut në lista, sepse do grupin e tij. Dash Sula u gënjye, sepse Berishës i duhen ata të foltores dhe në Parlament pas datës 12. Kjo është karma e Lulzim Bashës, sepse po të ishin te Basha do kishin shanse për t’u bërë deputetë. Rasti i Dashit është konkret, pasi ka vota në Elbasan dhe mund të zgjidhej”, tha gazetari për Report Tv.

Më tej ai shprehet se në PD do të ketë një luftë pasi emra që e ndihmuan Berishën të pastronte disi imazhin dhe të forcohej, tani nuk do jenë në lista.

“Aty ka luftë. Edhe 50 mijë vota të marrë Jorida Tabaku, rrezikon të mos zgjidhet dot deputete e PD-së sepse lista e mbyllur ka 12 në Tiranë dhe do jetë e vështirë. Edhe në listën e Fierit rrezikojnë shumë emra. Kush është në listën e hapur në PD është i djegur, lufta bëhet për listën e mbyllur. Por unë them se do kemi të tjera surpriza. Këta janë emra që janë hedhur në Kryesi, por në mesnatë është Berisha ai që vendos”, thekson ai.

A.Q/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Grupi i PS në listë të hapur, përveç drejtuesve politikë, si iu duket?