Sudan

Kaosi në Sudan rrezikon edhe stabilitetin e fqinjëve

25 Prill 2023, 07:39| Përditesimi: 25 Prill 2023, 07:42

  • Share

Herën e fundit kur një president ushtarak dhe nënkryetari i tij kanë luftuar në Afrikën lindore, rreth 400.000 njerëz kanë mbetur të vrarë. Kjo ka ndodhur në Sudanin e Jugut nga fundi i vitit 2013 deri më 2018. Tani, një luftë tjetër e përgjakshme për pushtet është duke destabilizuar fqinjin e tij jugor, Sudanin.

Në njërën anë është gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, president i Qeverisë ushtarake të Sudanit dhe udhëheqës i ushtrisë, i cili krenohet me numër të madh forcash tokësore dhe ajrore. Kundërshtar i tij është gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo, nënkryetar i Sudanit, i njohur si Hamiti, i cili mbikëqyr Forcat e Mbështetjes së Shpejtë - një nga grupet më të mëdha paraushtarake në rajon.

Të dy ata akuzojnë njëri-tjetrin për të shtënat e para në përleshjet që kanë nisur dhjetë ditë më parë. Qindra njerëz janë raportuar të vrarë, ndërsa mijëra të tjerë janë duke u larguar nga shtëpitë, sidomos nga kryeqyteti Kartum. Dy gjeneralët, deri vonë, kanë qenë aleatë. Ata kanë punuar së bashku për të rrëzuar sundimtarin veteran të Sudanit, Omar al-Bashir, në vitin 2019. Të dy kanë udhëhequr Sudanin nga viti 2021, kur Qeveria civile e vendit është rrëzuar po nga grusht shteti i tyre.

Marrëdhënia mes dyshes, megjithatë, është edhe më e hershme. Ata kanë luajtur rol kyç në aksionet e ushtrisë kundër rebelëve në rajonin separatist të Darfurit. Lufta atje ka nisur në vitin 2003 dhe ka zgjatur me vite. Darfuri, më pas, është përshkruar si gjenocidi i parë i shekullit 21. Dhe gjeneral Hamiti, asokohe, ka qenë komandant i grupit, Janjaweed, i cili është akuzuar për spastrim etnik dhe për përdhunime masive.

Sot, tensionet midis dy gjeneralëve kanë të bëjnë me transferimin e pushtetit te një autoritet civil dhe me integrimin e Forcave të Mbështetjes së Shpejtë në ushtri. Çështja kryesore është: Kush do të jetë komandant i përgjithshëm i ushtrisë gjatë periudhës së integrimit?

Bashkimi Afrikan ka paralajmëruar se konflikti “mund të rrëshqasë në luftë të shkallës së plotë” që “do të kërcënonte sigurinë në gjithë rajonin”. Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u ka bërë thirrje palëve ndërluftuese që t’i ndërpresin menjëherë armiqësitë dhe të nisin bisedimet për zgjidhjen e krizës.

“Situata ka shkaktuar tashmë humbje të tmerrshme të jetëve, përfshirë shumë civilë. Çdo përshkallëzim i mëtejshëm mund të jetë shkatërrues për vendin dhe rajonin”, ka thënë Guterres.

Waleed Madibo, themelues dhe president i Forumit të Politikave të Sudanit, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se konflikti është duke shkuar drejt luftës civile. Dhe, sipas tij, nuk mund të përjashtohet as përhapja në vendet fqinje.

“Baza sociale e Forcave të Mbështetjes së Shpejtë është në Darfur. Darfuri ka kufi me Çadin. Në atë rajon, pra midis Darfurit perëndimor dhe Çadit, ka lidhje fisnore dhe lidhje familjare [mes njerëzve], dhe lufta mund të përhapet. Mund të përhapet edhe në Niger, edhe në Republikën e Afrikës Qendrore. Por, gjithçka varet nga mënyra se si do të sillen presidentët e atyre vendeve - nëse zgjedhin të ndërhyjnë ose jo në konfliktin në Sudan”, thotë Madibo.

Disa implikime rajonale tashmë kanë nisur. Grupi paraushtarak, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë, ka thënë se “30 ushtarë egjiptianë” i janë dorëzuar atij. Ushtria e Egjiptit nuk e ka mohuar, as konfirmuar, por ka thënë se “po ndjek nga afër ngjarjet, në kontekstin e pranisë së forcave egjiptiane në Sudan”.

Mohamed Kheir Omer, studiues i politikave afrikane, me bazë në Oslo, thotë për Exposenë se Egjipti gjithmonë e shikon Sudanin si “oborr të shtëpisë”. Por, për shkak të pozitës së tij strategjike, që ka dalje në Detin e Kuq, dhe mineraleve të shumta, sidomos arit, Sudani ka kohë që ka marrë vëmendjen edhe të një fuqie më të madhe - Rusisë - thotë Omer. Sipas tij, grupi mercenar rus, Wagner, është i pranishëm atje qysh në vitin 2017.

“Grupi Wagner në Sudan punon në miniera, sidomos ato të arit. Një sasi e madhe e arit është kontrabanduar në Rusi nga Sudani, gjatë luftës në Ukrainë. Vetë udhëheqësi paraushtarak i Sudanit, Hamiti, ka qenë në Moskë, kur lufta në Ukrainë ka nisur. Sudani ka po ashtu dalje strategjike në Detin e Kuq. Dhe Rusia dëshiron të ketë port ushtarak në Detin e Kuq”, thotë Omer.

Aktualisht, nuk ka prova publike se Rusia është duke luajtur ndonjë rol në dhunën në Sudan. Yevgeny Prigozhin, themelues i Wagnerit, grup që lufton edhe në Ukrainë, ka thënë më 18 prill se asnjë luftëtar i vetëm i tij “nuk gjendet tani në Sudan”. Tre vjet më parë, Departamenti amerikan i Thesarit ka sanksionuar disa kompani dhe punonjës të Prigozhinit, pikërisht për punën e tyre në Sudan.

Shtetet e Bashkuara janë duke u koordinuar me shtetet arabe për rivendosjen e stabilitetit në këtë vend dhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka qenë në kontakt me të dy gjeneralët, për t’i bindur që të bisedojnë. Mohamed Kheir Omer shpjegon më shumë për rolin që mund të luajë komuniteti ndërkombëtar në ndaljen e luftimeve:

“SHBA-ja është një lojtare e rëndësishme në Sudan, ashtu si edhe fuqitë rajonale, Arabia Saudite apo Emiratet e Bashkuara Arabe. Ato kanë ndikim në Sudan, sepse edhe forcat ushtarake edhe ato paraushtarake të Sudanit kanë dërguar luftëtarë për të luftuar për to në Jemen, nisur nga viti 2015”.

“Në anën tjetër, Liga Arabe dhe Bashkimi Afrikan nuk mendoj se kanë shumë ndikim, sepse nuk kanë ndonjë levë. Liga Arabe është më e prirë të anohet kah Egjipti dhe Egjipti është në anën e ushtrisë sudaneze. Pra, nuk janë aktorë neutralë”, thotë Omer.

Madibo, nga Forumi i Politikave të Sudanit, thotë se gjeneralët në luftë, aktualisht, nuk duken të interesuar për ndërmjetësim ose armëpushim të qëndrueshëm. Sipas tij, ata janë të interesuar vetëm për mbijetesën e tyre dhe ruajtjen e pushtetit të tyre. Por, shton Madibo, as komuniteti ndërkombëtar nuk duket mjaftueshëm i interesuar për të ndërhyrë dhe kjo do të ketë pasoja.

“Këtu nuk bëhet fjalë për Sudanin, por për sigurinë e gjithë brezit sudanez. Bëhet fjalë edhe për sigurinë e Evropës. Nëse Sudani rezulton të jetë një shtet i dështuar, ne do të shohim fluks migrantësh në Evropë. Unë mendoj se komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë. Aktualisht, mendoj se nuk dëshiron të veprojë. Ai dëshiron që njëri prej udhëheqësve në Sudan të rraskapitet dhe pastaj të merret me të. Por, kjo nuk është mënyra më e mirë për të trajtuar situatën”, thotë Madibo.

Fqinjët e Sudanit, Egjipti dhe Sudani i Jugut, janë ofruar të ndërmjetësojnë. Ka pasur disa nisma edhe nga Kenia dhe Xhibuti, por nuk ka ende ndonjë sinjal pozitiv.

Sudani nuk është i huaj për trazirat. Pas 30 vjetësh në pushtet, presidenti Omar al-Bashir është rrëzuar nga puçi i ushtrisë në vitin 2019, të cilit i kanë paraprirë protesta masive popullore. Gjatë sundimit të tij, Sudani i Jugut është ndarë nga veriu, ndërsa Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar urdhërarrestim për Bashirin, për krime të dyshuara lufte në Darfur. Pas rrëzimit të Bashirit, Sudani është udhëhequr nga një aleancë e grupeve ushtarake dhe civile, e cila ka marrë fund në vitin 2021, kur është shpërbërë nga forcat e armatosura.

Se ku apo kur do të përfundojnë luftimet e tanishme, nuk është e qartë. Të dyja palët pretendojnë se kanë kontroll mbi vendet kryesore. Llogaritje të ndryshme zyrtare dhe jozyrtare tregojnë se forcat e armatosura sudaneze kanë deri në 220 mijë pjesëtarë. Forcat e Mbështetjes së Shpejtë besohet se numërojnë rreth 70.000 pjesëtarë, por ato janë më të trajnuara dhe të pajisura më mirë.

Duke qenë një nga vendet më të mëdha në kontinentin afrikan, Sudani përfshin 1.9 milion kilometra katrorë territor dhe ka popullsi kryesisht myslimane. Ai është gjithashtu një nga vendet më të varfra në botë, me të ardhura mesatare vjetore prej 750 dollarësh për kokë banori. Kriza aktuale ka prekur furnizimet me ushqime, me ujë dhe me energji elektrike./REL

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?