Shefi i trafikut urban në Tiranë, Taulant Gjoka ka bërë një panoramim të plotë të gjithë situatës në ish- sheshin "Shqiponja", pas kaosit te krijuar atje pas hapjes së tunelit nr. 5. Në një intervistë për Report Tv Gjoka ka bërë me dije se problem është mosinformimi i qytetarëve por edhe mungusa e sinjalistikës.
"Ka një specifikë te ish-Sheshi Shqiponja. Ajo që ka ndodhur është për shkak të kalimit nga një fazë në një fazë të re gjatë punimeve. Ka pasur një numër drejtuesish mjetesh që kanë pasur mungesë informacioni edhe për shkak të mungesësh së sinjalistikësh. Drejtuesit e mjetit kanë qenë konfuzë, gjë e cila ka shtuar trafikun aty. Kalimi nga një fazë në një tjetër nuk do të thotë lehtësim trafiku pasi duhet koha.
Në hyrje te Sheshi Shqiponja nuk mund ta zgjidhë një punonjës policie përveçse të informojë atë që është konfuz. Ndërhyrja te Rrethi i Ozonit dhe te kryqëzimi i Laprakës është më i volitshëm dhe më efektiv. Është një proces dinamik por ju siguroj se qenia aty është e domosdoshme", tha Gjoka.
Sipas tij si zakonisht nuk është shtatori i parë dhe as i fundit që kryeqytetin e gjen me trafik të rënduar, sidomos në nyjet hyrëse dhe dalëse.
"Policia ka marrë masat me shërbime të shtuara. Sa i përket arsyeve janë disa faktorë kompleks, shtimi i mjeteve në rrugë, punimet në vepra publike apo edhe nisja e shkollave. Kjo përkthehet në trafik të rënduar. Një nga veprat publike është Unaza e Re që është një nga segmentet më të bllokuara, edhe për shkak të mosinformimit që kanë pasur drejtuesit e mjeteve. Shërbimet tona janë në terren për menaxhimin e trafikut. jo gjithmonë burimet tona njerëzore në të terren janë të mjaftueshme. Zonat më problematike të trafikut janë '5 maji', stacioni i trenit, ish-sheshi shqiponja si dhe rrugët ku ndodhen poliklinikat shëndetësore për shkak të vaksinimit", tha ai.
Për Shefin e trafikut urban në Tiranë me përfundimin e punimeve të Unaza e Re sigurisht që do të kemi përmirësime.
"Kujtojmë se edhe pse jemi fillim shtatori një pjesë e mirë e turistëve janë ende në Shqipëri. Ne jemi duke marrë planin e masave. Policia bashkiake të jetë më prezente në akset rrugore për të evidentuar shkeljet, sidomos me parkimet, që krijojnë trafik shumë të rënduar. Trafiku i rënduar është karakteristikë për çdo kryeqytet. E gjithë ajo vepër e madhe te Unaza e Re po bëhet për të ndihmuar trafikun", tha ndër të tjera Taulant Gjoka.
Lajmi kryesor:
Edhe sot Tirana e bllokuar nga trafiku, kaos në hyrjen te ish sheshi 'Shqiponja', mjetet bëhen 'lëmsh' nga mungesa e sinjalistikës! Lëvizja në rrugët e qytetit 'mision i pamundur'
K.T.//ReportTv.al