Bota

Kaosi për ushqimin në Gaza, turma sulmoi ndihmat! Jep dorëheqjen shefi i operacioneve humanitare (VIDEO)

28 Maj, 07:50| Përditesimi: 28 Maj, 08:29

  • Share

Nuk ishte një ditë triumfi. Shpërndarja e paketave të para ushqimore brenda Gazës u kthye në kaos, një situatë që, me sa duket, as vetë hartuesit e planit nuk e kishin parashikuar.

Mijëra palestinezë u dyndën në dy zonat që hynë në funksion – atë të Tel as-Sultan, në Rafah, në jug të Rripit të Gazës, dhe atë të Korridorit të Moragut, që ndan Rafahun nga Khan Yunis – dhe sulmuan qendrat e shpërndarjes së ushqimeve duke i shkatërruar. Paketa ushqimore, karrige dhe tavolina u morën me vete, gardhi që duhej të mbante turmën u zhvendos nga vendndodhja fillestare. Punonjësit e kompanisë amerikane të sigurisë, të kontraktuar për ruajtjen, u larguan me vrap dhe u qëllua në ajër për të shpërndarë turmën.

Pamjet filmike

Ky është rrëfimi që publikojnë disa media në gjuhën hebraike, të cilat citojnë burime palestineze pa sqaruar nëse trazirat kanë ndodhur në të dy qendrat e hapura apo vetëm në njërën prej tyre. Pamjet që qarkullojnë në internet tregojnë turmën që vërshon në vendin e shpërndarjes; në disa pamje të veçuara shfaqet një radhë e gjatë palestinezësh të “burgosur” në korridore të rrethuara, në pritje të paketave.

Nuk ka ende një konfirmim zyrtar se gjërat kanë ndodhur saktësisht ashtu. Por duket se diçka e ngjashme ka ndodhur, nëse mbrëmë vetë Gaza Humanitarian Foundation (Fondacioni i mbështetur nga SHBA dhe Izraeli për të menaxhuar planin e ndihmave humanitare me ndihmën e kontraktorëve privatë për sigurinë) ka shpërndarë një njoftim ku nuk i mohon sulmet. Në thelb, në njoftim thuhet se ka pasur një moment kur "numri i njerëzve që mbërritën në qendrën e shpërndarjes ishte i tillë që ekipi i GHF u tërhoq për t’i lejuar një numri të vogël banorësh të Gazës të merrnin ndihmën në mënyrë të sigurt dhe më pas të shpërndaheshin”. Megjithatë, për GHF, bilanci është pozitiv: “Deri tani janë shpërndarë rreth 8.000 paketa ushqimore, për një total prej 462.000 vaktësh”.

Të shtëna paralajmëruese

Edhe IDF, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit që janë gjithmonë të pranishme në qendrat e shpërndarjes, dhanë versionin e tyre mbrëmë: “Kemi kryer të shtëna paralajmëruese në zonën përreth kompleksit”, thuhet në deklaratë. “Situata është nën kontroll, operacionet për shpërndarjen e ushqimit do të vazhdojnë sipas planit”.

Dorëheqje të reja

Që nuk do të ishte një ditë e lehtë, u kuptua që në fillim. Stafi i kompanisë së sigurisë që punon për GHF deklaroi se në mëngjesin e djeshëm Hamasi kishte ngritur postblloqe përgjatë rrugëve të kalimit të të zhvendosurve për të penguar njerëzit (pa sukses, siç duket) të shkonin drejt qendrave të shpërndarjes. Dhe po ashtu në mëngjes, sipas “Washington Post”, u bë e ditur se pas drejtorit ekzekutiv Jake Wood, ka dhënë dorëheqje edhe shefi i operacioneve David Burke nga Gaza Humanitarian Foundation. Nuk është e qartë arsyeja e dorëheqjes së Burke, ndërsa Wood ishte larguar duke deklaruar se plani i ri i shpërndarjes së ndihmave nuk respekton “parimet humanitare të neutralitetit, paanësisë dhe pavarësisë”.

OKB: “Militarizimi i ndihmave”

Të njëjtin qëndrim ndan edhe OKB, që nuk merr pjesë në planin humanitar Izrael–SHBA dhe denoncon “militarizimin” e ndihmave, duke i konsideruar ato si një “zhvendosje e detyruar” e palestinezëve drejt jugut. Kritika që sipas zëdhënëses së Departamentit Amerikan të Shtetit, Tammy Bruce, janë “kulmi i hipokrizisë”. Pas dy qendrave të hapura dje, një qendër e tretë pritet të hapet në zonën e Khan Yunis, po në jug, dhe një e katërt në zonën e Korridorit Netzarim, pranë qytetit të Gazës (në veri). Për GHF punojnë tri agjenci ndërkombëtare: International Human Rights Commission (IHRC), Rahma dhe Multifaith Alliance (dy të fundit amerikane)./Corriere della Sera 
 

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kuvendi, si e vlerësoni punën e legjislaturës që po mbyllet?