‘Kapedani’, restaurohet filmi ikonë shqiptar! Vajza e ‘Xha Beqos’ rrëfen emocionet: Kam qenë me trupën e xhirimit, ishte i preferuari i babait

25 Shtator, 16:25| Përditesimi: 25 Shtator, 16:34

  • Share

“Me atë me xham apo atë pa xham. Nënë Sotiriqa është mamaja ime”. E shoh me gjithë reputacion dhe nivel”.

Aksinja mban mend çdo xhirim të filmit “Kapedani”. Nuk aktronte vetë, por babai i saj, Nikolin Xhoja që të gjithë e njohin nga ky film si Xha Beqo.

“Është një moment shumë emocionues për mua. Ishin vitet 71-71. Kam qenë me trupën që xhironin në Borsh, Dhërmi dhe i kam të gjitha skenat e fotografuara. Ishte një nga filmat që babai preferonte shumë. Roli i babit kishte pak batuta. Ata janë shtuar dalëngadalë. Protagonist ishte Albert Boria. Nga batutat që shtonte autori u bë protagonist Xha Beqo”, tha e bija e aktorit Nikolin Xhoja, Aksinja.

Gjendet në Shqipëri për premierën e këtij filmi që iu nënshtrua restaurimit në 4K që edhe sot pas më shumë se 50 vitesh që është xhiruar i jep të njëjtin emocion. Teksa na tregon momente nga xhirimet, ajo veçon atmosferën magjike dhe respektin mes stafit që po realizonte këtë film që edhe sot pas kaq shume vitesh shikohet me po aq dashuri.

“Ishim një familje e madhe. Më mungon ajo atmosfera, ai përkushtim i madh që kishte në film. Një moment si i fortë emocionalisht ishte kur do shkonim të xhironim në breg të detit dhe atje kishte një burg i të burgosurve politik. Ne nuk e dinim dhe bërtisnin Nikolin Xhoja. Jemi prekur. Në të gjitha situatat në botë arti mban lart moralin e të gjithëve”, tregoi Aksinja Xhoja.

Ky xhevahir i artit shqiptar që do të jetë i paprekshëm për të gjithë brezat, pritet që tashmë të marrë pjesë në festivale ndërkombëtare, tha Marinela Ndria, drejtore e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.

“Një nga kriteret kur ne marrim pjesë në festival ndërkombëtare është që filmi të jetë i restauruar. Jemi shumë të lumtur që i hapet rruga. Do jemi besoj në 2025 në festival ndërkombëtare jashtë vendit. Besoj se do duartrokitet shumë në arenën ndërkombëtare. Filmi vjen i digjitalizuar në 4K. Le të themi që është maksimumi i gjithçkaje. Ka filluar në maj dhe vjen i titruar dhe në anglisht. Në varësi të festivaleve ne i titrojmë në gjuhë të ndryshme”, tha Marinela Ndria, drejtore e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.

Filmi “Kapedani” që mbetet një nga prodhimet më të mira të Kinostudios “Shqipëria e re”, është titruar edhe në gjuhën angleze. Në film shprehet historia e plakut me mustaqe të bardha Sulo interpretuar nga Albert Verria, i cili niset nga fshati i tij për në kryeqytet për të zbuluar se pse grave u janë dhënë të njëjtat të drejta si burrat. Ky film zë ende vend të rëndësishëm në kujtesën kolektive të shqiptarëve dhe transmetohet rregullisht nga televizionet kombëtare.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?