TIRANË- Shtatë raste të vjedhjes së kasafortave nëpër bizneset e autostradës Tiranë-Durrës në muajt mars, qershor, gusht, nëntor dhe dhjetor janë dokumentuar me prova nga policia, ndërsa tre persona janë arrestuar dhe tre të tjerë janë shpallur në kërkim.
Elton Tafa alias Beu, Egzon Mhilli alias Murati dhe Ilir alias Mikel Boja janë arrestuar në flagrancë gjatë kohës po kryenin një vjedhje tek një subjekt tregtar në autostradë. Dy prej tyre janë me precedentë të mëparshëm penal për armëmbajtje pa leje dhe vjedhje.
Në kuadër të operacionin “Autostrada”, specialistët e Komisariatit nr. 6, në cilësinë e provës materiale sekuestruan një armë zjarri pistoletë me fishekë luftarakë, mjete të ndryshme që dyshohet se përdoreshin për kryerjen e vjedhjeve, 1 automjet dhe 8 aparate celularë. Në fokus të veprimtarisë kriminale ishin kasafortat e parave dhe materiale të tjera me vlerë.
* Më datë 06.06.2021, në Kodër Mëzes, në një firmë, dyshohet se kanë vjedhur kasafortën me një shumë parash;
* Më datë 12.08.2021, në autostradën Tiranë-Durrës, dyshohet se kanë vjedhur disa pajisje topografike;
* Më datë 18.08.2021, në një qendër tregtare, dyshohet se kanë vjedhur kasafortën e magazinës ku kanë marrë një shumë parash;
* Më datë 30.08.2021, në një firmë dyshohet se kanë vjedhur një shume parash;
* Më datë 17.03.2021, në rrugën "Vangjel Noti", dyshohet se kanë vjedhur disa medikamente mjekësore në një firmë;
* Më datë 26.11.2021, në rrugën dytësore Tiranë-Durrës, dyshohet se kanë tentuar të vjedhin kasafortën në një firmë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.