Dy raste të kontrabandës së mallrave të ndryshme (për disa prej tyre paguhet akcizë), janë goditur në Portin e Durrësit, nga një operacion i përbashkët i zhvilluar ndërmjet Doganës dhe Policisë Kufitare.
Konkretisht është vënë në hetim B. C., 24 vjeç, banues në Kurbin, pasi gjatë kontrollit në automjetin tip “Benz” që drejtonte, iu gjetën 6 kuti me nga 100 fishekzjarrë secila, të padeklaruara;
Po ashtu është proceduar penalisht edhe O. A., 57 vjeç dhe Xh. H., 32 vjeç, të dy banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit në autobusin e tyre, iu gjetën rreth 200 shishe me pije të ndryshme alkoolike, pajisje të ndryshme elektroshtëpiake (mallra për të cilat paguhet akcizë) dhe mallra të tjera të padeklaruara.
Në përfundim të veprimeve procedurale, fishekzjarrët dhe mallrat e tjera u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Po ashtu edhe në terren Krimi Ekonomik në Durrës ka goditur 2 raste të shitjes së mallrave të kontrabanduara, për të cilat janë proceduar penalisht shtetasit: D. Ç., 39 vjeç, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit në dyqanin e tij, në lagjen nr.4, Durrës, iu gjetën pije të ndryshme alkoolike të kontrabanduara, pa pullë fiskale, të cilat ky shtetas i shiste duke fshehur të ardhurat;
Po ashtu u procedua A. V., 33 vjeç, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit në automjetin e tij, shërbimet e Policisë gjetën qindra paketa me cigare, të kontrabanduara, pa pullë fiskale, të cilat ky shtetas po i transportonte me qëllim shitjen.