Kapen 45 kg kokainë e mbështjellë me ‘Gokun’ në Durrës! Droga e ndarë në 40 pako, e fshehur në konteinerin me mish pule nga Brazili! 2 të ndaluar

15 Qershor 2022, 22:21| Përditesimi: 16 Qershor 2022, 07:50

  • Share

DURRËS- Një tjetër sasi e konsiderueshme droge është kapur në Portin e Durrësit mbrëmjen e kësaj të mërkure. Report Tv mëson se bëhet fjalë për 45.5 kg kokainë e ndarë në 40 pako. Sasia e drogës ishte fshehur në një konteiner që vinte nga Brazili, i ngarkuar me mish pule. Nga burimet, raportohet se porositësi i mishit është një biznes nga Maqedonia e Veriut, teksa janë ndaluar 2 persona, shtetas kosovarë, shoferi dhe një përfaqësues i firmës. Ato janë ndaluar për t’u marrë në pyetje nga uniformat blu, dëshmia e të cilëve mund të ndihmojë grupin hetimor për të zbardhur të plotë ngjarjen.

Droga mendohet se kishte dy porositës, kjo për shkak se edhe pakot ishin të ndara, me imazhe të ndryshme, por që si personazh kryesor kishin protagonistin e filmit të animuar “Goku” dhe "Budën". Secila pako peshonte nga 800-1400 gramë.

Nuk dihet nëse në këtë operacion “Tranzit” kanë qenë të përfshira edhe partnerët ndërkombëtar që mund të kenë sinjalizuar për sasinë e drogës, siç ka ndodhur edhe në aksionet e tjera të kryera. Gjithashtu të pakta janë edhe detajet mbi intenerarin që ka ndjekur ky konteiner, vendi ku është ngarkuar sasia e drogës si edhe destinacioni përfundimtar i saj deri te porositësit e vërtetë. Sa i përket këtyre të fundit, nuk ka asnjë informacion.

Kjo është sasia e dytë e cila është kapur brenda një kohe të shkurtër, brenda pak javësh në Portin e Durrësit. Vetëm pak javë më parë, u kap një tjetër sasi kokaine në një anije me qymyr e cila vinte nga Kolumbia. Kokaina u gjet në hambarin e anijes "Unistream" me flamur të Antigua Barbuda nga Ishujt Karaibe. Ajo ishte e ndarë në 53 pako, në 2 çanta dhe bëhej fjalë për 59 kg. Të arrestuar nuk pati asnjë. 

 

Kokaina e sekuestruar

Ora 22:40
Pakot e mbështjella me personazhet e kukullave 'Goku' dhe Budën, dalin FOTOT e kokainës së sekuestruar në Portin e Durrësit

1655325802_0f942550833945a7a22a3486feb8f863.jpg

Janë publikuar fotot e kokainës së kapur në Portin e Durrësit. Siç shihet edhe nga fotot, 40 pakot e kokainës ishin mbështjellë me personazhet e kukullave Goku.

Ora 22:39
Kokaina në Portin e Durrësit, policia jep njoftimin zyrtar

1655325636_3861108a8997481dadb8635d6a4e7301.jpg

Policia jep njoftim për drogën në Portin e Durrës. 

"Task Forca permanente e përbashkët e përbërë nga  Policia Kriminale e DVP Durrës, Policia Kufitare e Portit të Durrësit dhe autoritetet doganore të Portit, evidentojnë dhe godasin një tjetër rast të trafikimit të lëndëve narkotike.

Finalizohet një tjetër operacion policor antidrogë, i koduar “Tranziti”. 

Operacioni, nga Task Forca permanente e përbërë nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Policia Kufitare e Portit të Durrësit  dhe autoritetet doganore të Portit.

Sekuestrohen 45 kilogramë e 500 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë.

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale të tentativës për trafikim të drogave të forta, si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar edhe në analizën e riskut të bërë nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kriminale e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Policia Kufitare e Portit të Durrësit  dhe nga autoritetet doganore të Portit, e cila vepron në Portin e Durrësit, në bazë të dyshimeve të krijuara nga kjo Task Forcë dhe informacioneve që dispononte Policia Kriminale e DVP Durrës, është ushtruar kontroll i detajuar në një kontenier të ngarkuar me mish pule, që ishte nisur tranzit nga Brazili, për llogari të një subjekti tregtar në Maqedoninë e Veriut.

Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kontenier, në brendësi të ngarkesës me mish pule u gjetën 40 pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë 45 kg e 500 gramë. 

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në të.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”", njofton policia. 

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?