KORÇË- Policia e Korçës ka vënë në pranga një person dhe ka proceduar penalisht 2 të tjerë për shkak se janë kapur duke prerë dru në mënyrë të paligjshme në fshatin Çlirim, në Kolonjë.
Policia ka arrestuar shtetasin Ç. L., 51 vjeç dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit A. A., 65 vjeç dhe E. A., 32 vjeç, banues në fshatin Qafëzez, Kolonjë.
51-vjeçari për t'ju shmangur policisë ka kanosur për shkak të detyrës 3 inxhinierë pyjesh të bashkisë Kolonjë dhe njërin prej tyre e ka goditur me mjet të fortë.
Sipas policisë, këta shtetas janë konstatuar nga shërbimet e Policisë dhe të Inspektoriatit Pyjor, duke prerë dru në mënyrë të paligjshme në fshatin Çlirim, Kolonjë. Shtetasi Ç. L., për të shmangur penalizimin, ka kanosur për shkak të detyrës shtetasit A. J. dhe E. Ç., si edhe ka goditur me mjet të fortë në krah shtetasin K. M. (të tre me detyrë inxhinierë pyjesh pranë Bashkisë Kolonjë). Shtetasi K. M., pasi mori mjekim në spital, u largua në banesë.
Në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe u sekuestruan 4 m dru sterë e llojit ah. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprat penale "Prerja e paligjshme e pyjeve", "Goditjet për shkak të detyrës" dhe "Kanosja për shkak të detyrës".