Lautaro Martinez është kapiteni i ri i Interit. Largimet e Lukakut, Handanovic apo Brozovic kanë bërë që shiriti të kalojë në krahun e sulmuesit, që do duhet të bëjë edhe liderin në dhomat e zhveshjes.
"Që nga momenti që u bëra kapiten, kam pasur dëshirën për të fituar kampionatin dhe për të ngritur trofeun. Unë dhe bashkëlojtarët e mi i thamë njëri-tjetrit, duhet të lëmë Interin në krye, njerëzit presin shumë nga ne dhe do të fillojmë prej këtu”, tha argjentinasi në një intervistë për Gazzetta dello Sport.
Sirenat arabe nuk e magjepsën, Interi është shtëpia e tij e dytë.
"Ofertat kanë mbërritur. Por unë jam i lumtur te Interi dhe i lumtur në Milano, nuk kam pse të ndryshoj", tregoi Martinez.
Më pas Lautaro foli edhe për zhgënjimin që i erdhi nga largimi i Lukakut, me kapitenin që tregon se belgu nuk iu hapte telefonin.
"Isha i zhgënjyer, është e vërteta. Edhe unë u përpoqa ta telefonoja në ato ditë kaosi, ai nuk më përgjigjej asnjëherë, ashtu siç bëri me shokët e tjerë të skuadrës", tha sulmuesi.