Politikë

Kara për Report Tv: Berishës nuk i është hequr non grata, ku i gjetën 6 mln dollarë? Noka ka firmosur! PS fiton 71-73 mandate, kreu i PD me gafa! Logu: Masë politike, do hiqet

9 Maj, 16:53| Përditesimi: 9 Maj, 17:04

  • Share

Non grata e Sali Berishës nuk është hequr dhe mbetet në fuqi nga DASH, pasi edhe raporti i muajin Mars të këtij viti nga Uashingtoni e cilësonte si një histori suksesi këtë masë të vendosur, ku u rrëzuan pretendimet e kreut të PD-së.

Kështu shprehet juristi Romeo Kara për “Studio Live” në Report Tv, ku ishte i ftuar nga moderatori Arbër Hitaj, bashkë me avokatin pranë selisë blu, Besart Logu.

Dy nga temat më të analizuara të panelit ishin lajmi i përhapur për heqjen e “non gratas” së Berishës dhe kontrata 6 mln dollarë me kompaninë amerikane “Continental”.

Ndërsa Kara e cilësoi një lajm i pabazë juridikisht dhe ligjërisht, që nuk e zhbën masën non gratën që mbetet në fuqi dhe i bërë në kuadër të fushatës dhe si efekt të pagesës së majme për lobim, Logu u shpreh se masa ishte politike nga administrata e Biden dhe do hiqet po politikisht nga administrata Trump.

“Non grata nuk është hequr. 6 mln dollarë të paguara nuk janë të ligjshme. PD nuk bëri veting kandidatësh. Më 24 mars DASH ka një raport ku përmend si sukses shpalljen non grata dhe goditjen e Berishës për korrupsionin. Raporti i DASH i rrëzoi pretendimet e Berishës”, tha Kara.

Kurse në lidhje me kontratën e lobimit, ai ngriti pyetjen se “ku u gjetën 6 mln dollarë?”.

“Ku e kanë garancinë këta që për 7 ditë ngrenë një fondacion patriotësh dhe pjellin çdo muaj 250 mijë dollarë, ku gjenden këto para? Ka para me thasë aty? E ke palë PD-në në këtë kontratë me Flamur Nokën. Mban përgjegjësi si përfitues, përgjegjësi penale, e mban përgjegjësinë këtu dhe atje. Janë 2-3 kontrata, por mund të jenë edhe 4 kontrata. Berisha e pranon se ka kontratë tjetër me Chris LaCivita, me aq para të paguara dhe atë fushatë skandaloze që u bë nga PD-ja”, vijoi juristi analizën e tij.

Kurse Logu tha se masa ndaj Berishës ishte politike nga një grup diplomatësh karriere amerikanë që nuk janë më në detyrë. Kurse për kontratën e lobimit nënvizoi se PD përfiton shërbimin dhe nuk paguan.

“U bë me ndikim politik. Siç u vendos politikisht, do hiqet po politikisht, do zhbëhet. Eskobar, Blinken, Yuri Kim, Filip Riker, nuk janë më në shërbim diplomatic, sepse ishte klani i Sorrosit. Raporti i vitit 2024 për reflektimin e 2025 është copy-paste është e njëjta dorë. Ndërkohë që më 2024 ke shumë zhvillime dhe goditje zyrtarësh të lartë të qeverisë që nuk janë reflektuar në raport, ndaj mendoj se janë e njëjta dorë. Ka akoma dorë Soros aty. PD është palë në këtë kontratë, merr shërbimin, paguajnë të tjerët për të, nuk paguan PD, përfiton vetëm shërbim”, u shpreh ai.

Të ftuarit analizuan edhe fushatën elektorale, turin e dy drejtuesve të partive më të mëdha dhe projeksionet për 11 majin.

“Për hir të së vërtetës kjo fushatë ka qenë e qetë në përgjithësi, pa incidente siç ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara, ku pati deri në vrasje. Ka pasur një lloj qevetësie, edhe pse ka tentativa nga pushteti dhe administrata për blerjen e votës. PD ka treguar se është alternativë për të shkruar historinë. PS ka bërë fushatë tallava dhe katundareske, pa fabul fushata e Edi Ramës. Rama bëri gafa, ka tension të brendshëm që tregon se nuk i bën dot 71 mandate. Rama përdor bandat, si më 2021. As PS dhe as PD nuk bëjnë 71. Në çdo rast PS s’i kap 71, PD i merr 71”, tha Logu.

Kurse juristi Kara ndau mendimin se fushata e Ramës u përqendrua te batutat dhe ajo e Berishës tek gafat e panumërta. Ai u shpreh se rezultati i 11 majit duket pothuajse i qartë bazuar tek fushata e deritanishme.

“Berisha po sillet si maçoku në prush, nga kërkimi për mandatin e 5 të tij si dy herë president dhe kryeministër, te “non-gallata e sallata”. Ka përfunduar te gafat. Këta e bëjnë Berishën sikur të jetë i ri dhe ka përfunduar ashtu, pas fushatës do e shohësh Berishën se si do bëhet krypë. Rama e ka kapur me batuta, nuk merret me programin. Dikur me kazan që ua gjeti, tani me këneta dhe buf, Ose kur i tha doktor rrumpalla, Rama është i kujdesshëm në fushatë që të mos bëjë gabime. Kurse Berisha nuk po di më as se çfarë flet, Berisha po na tregon neve se si të mos veprojmë, se si të jemi në këto zgjedhje. Berisha po thotë do ju kthej te 2013. PD s’i kalon 55 në rastin më të mirë, PS nga 71 deri në 73 mandate”, tha Kara.

A.Q/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, si ju është dukur fushata zgjedhore?