Politikë

Kara për Report Tv: Nuk fitohen zgjedhjet me Nokën e Vokshin, të vetmet vjedhje ishin në Primare! Berisha ka 4 kontrata lobimi, quajini ‘Partia e Gallatës! Të rinjtë dështuan

21 Maj, 18:09| Përditesimi: 21 Maj, 18:32

  • Share

Zgjedhjet përfunduan, por Sali Berisha dhe PD po pretendojnë vjedhjen e votave më 11 maj.

Për juristin Romeo Kara, kreu i selisë blu është i pandryshueshëm dhe do e mbajë peng partinë deri në fund, me njerëz si Flamur Noka dhe Albana Vokshi, për të cilët tha me ironi se “e meritojnë të jenë pasardhësit e Berishës”.

I ftuar në emisionin ‘Studio Live’ ditën e sotme, ai u shpreh për Report Tv se “vjedhjet e vetme që u bënë në zgjedhje, ishin ato të Primareve të PD-së”.

Kurse për partitë e reja, nënvizoi se ishin eksperiment i dështuar, ku të 4 liderët duhet të ndjekin nga pas Shehin.

Në lidhje me kontratat e fshehuta të Berishës për lobim, ai tha se janë 4 të tilla dhe jo dy, që do zbardhen më tej.

Kara thotë se kreu i PD-së ‘as dëgjon dhe as shikon nga një vesh dhe jë sy’ që të veprojë si Dashamir Shehi me dorëheqje nga partia.

“Nuk mendoj se Sali Berisha sheh nga një sy dhe dëgjon nga një vesh për të marrë këshilla, e për më tepër nga Dashamir Shehi që u dorëhoq sot. Po të shohësh Berishën dhe kontratën me LaCivita dhe kompaninë amerikane, kontratë me dy vite, ka qenë e parapërgatitur, e ka ditur dhe se do godiste pikërisht rezultatin e zgjedhjeve. Për mendimin tim ky është produkt zgjedhor PS-PD sepse bashkë i kaluan, edhe numërues e komisionerë i kanë bashkë. Kurse Berisha kur pa humbjen doli dhe tha se nuk i pranon, edhe pse humbi në zona demokrate deri në Kukës apo Has. Nuk vidhen kollaj kaq shumë vota. Dy partitë kanë bërë një mur të madh. Ky që qahet se i vodhën zgjedhjet dhe ai tjetri që merret me bufin e kënetës, e deri te ai tjetri që është në burg, për kaq vite dhe që e kanë kapur sistemin”, u shpreh juristi për Report Tv.

Për të qytetarët zgjodhën të votonin të keqen më të vogël dhe të mos bënin hapa pas, duke u kthyer te Berisha dhe shpura e besnikëve të tij.

“Ndaj njerëzit kanë zgjedhur të votojnë të keqen më të vogël, sesa të kthehn te Berisha non grata, me probleme penale, i padëshiruar familjarisht e që duhet të ishte në burg, apo të dalësh krah për krah me njerëz që nuk kanë etikë qytetare si Flamur Noka dhe Albana Vokshi, t’i kërcënosh shqiptarët, t’u kërcasësh dhëmbet dhe ti i merr për të denjë këta njerëz, e dhe të fitosh zgjedhjet me ta. Ose një gjykatës i larguar nga vettingu, Gjin Gjoni, ish-prokurorin milioner me prona, që i futi në lista, e shqiptarët zgjodhën të mos bënin asnjë hap pas. Ose ke në krahun tjetër këta që i bëjnë presion SPAK si ministri i Drejtësisë. Këta po tentojnë zhbërjen e asaj shprese të vogël të shqiptarëve, te reforma në drejtësi. Alternativa ka qenë, “më mirë rrimë këtu, sesa të bëjmë një hap pas”, vijoi ai.

Për Kara kreu i PD nuk ndryshon dhe ka pasur strategji duke e ditur humbjen, ndaj edhe ka bërë kontratë 2-vjeçare me kompaninë amerikane. Juristi u shpreh se janë 4 kontrata dhe jo dy, siç është deklaruar,që do dalin së shpejti.

“Berisha nuk ndryshon, bëri demagogji me Primaret dhe derisa shkoi te skandali i lobimit me LaCivita. Njerëzit e panë dhe u tërhoqën. I shoqëruar me Nokën, e ti pret të fitojë. Me lajthitjet e pafundme në fushatë, me njerëz të dobët në fushatë. Ky është në hall të madh. Ai ishte nën akuzë nga SPAK, si mund të kandidosh ti? Pagesa 6 mln dollarë i vuri vulën, edhe pse unë mendoj se nuk janë dy dhe tre kontrata lobimi, por 4 të tilla dhe do dalin. Ku i gjeti paratë, janë miliona që nuk justifikohen. Ku janë paratë? Sa për vjedhjen e votave, mendoj se pati vetëm në Primaret e Berishës vjedhje. Kemi rastet e Dash Sulës dhe Alesia Balliut në Elbasan, kemi Shkodrën dhe Kavajën”, u shpreh Kara.

Teksa foli për partitë e reja dhe rezultatin e tyre, ai i quajti eksperimente të dështuara, ku të 4 liderët e tyre duhet të ndiqnin rrugën e Dsh Shehit dhe të doëhiqeshin. Madje shkoi edhe më tej, duke kërkuar një hetim financiar të sponsorizimeve të fushatës së tyre.

“Unë mendoj se partitë e reja dhe Berisha duhet të ndjekë Dash Shehin dhe të japë dorëheqjen, të largohet. Edhe pse për Berishën uroj që të mos largohet, le të qëndrojë. Partitë e reja nuk e arritën rezultatin që premtuan. Partia nuk është biznes personal siç ka thënë Agron Shehaj se ka invesuar 100 mijë euro për partinë e tij, ai ka bërë shkelje dhe të mos i njihet mandati. Madje na ka bezdisur në telefon mua dhe familjen, nga e ka gjetur numrin tim ai? Nga i gjeti të dhëna, ato janë private! Lapaj deri dje thoshte i besoj sistemit, kurse sot ankohet. Le të bëhet skaner i financimit ndaj tyre në fushatë elektorale, t’u përgjigjen akuzave. Pse nuk u bënë bashkë ata, nëse donin të sillnin ndryshimin, por ça bënë, rritën pazarin e vetes së tyre. Unë mendoj se ishin egoistë dhe morën rezultatin që meritonin. Këto ishin 4 eksperimente që dështuan, duhet të largohen dhe të vijnë të tjerë. Unë nuk e shoh se këta do e bëjnë Shqipërinë. Kush ua dha misionin atyre, Argita apo Saliu, se ai thotë kam mision?”, analizoi juristi në ‘Studio Live’.

A do të ketë PD pasardhës dhe a do largohet Berisha nga drejtimi? Kara zgjodhi të bënte ironi dhe sarkazëm me lidershipin e selisë blu.

“Për pasardhësin e Berishës unë mendoj se ka tre kandidatë potencialë me Flamur Nokën që e shoh një kryetar madhështor, Adriana Kalaja dhe Klevis Balliu, njerëz me integritet të lartë dhe që e meritojnë dhe në fund ta quajnë “Partia e Gallatës”, përfundoi ai.

Ora 18:24
Mërtiri: Berisha si një faraon që po merr me vete opozitën në ‘varrin’ e tij! Po mban peng PD për hallin personal, beteja e tij për vjedhjen e votës një farsë! Partitë e reja kërkuan ‘llokmën’

Analisti Ergys Mërtiri tha sot për ‘Studio Live’ në Report Tv se Berisha po sillet si një faraon që do marrë me vete në ‘varrin e tij’ opozitën dhe të gjithë PD-në.

Ai nënvizoi se jo vetëm kreu i selisë blu nuk do largohet, por ai do vijojë betejën për hallet personale me drejtësinë, ndaj po mban afër edhe njerëzit më besnikë.

Kurse betejën dhe pretendimet e Berishës për vjedhje votash e cilëson si një “farsë”, të pambështetur në prova konkrete, me qëllim për t’iu shmangur përgjegjësisë në parti për humbjen e thellë.

Për Mërtirin edhe pse nuk mohohet se pati ndikim për votat në blerje dhe orientim, nuk ishte situatë e ngjashme me vitin 2021, teksa diferenca e rezultatit është me minus 20 pikë nga PD dhe për këtë Berisha duhet të japë llogari.

“Dash Shehit që s’ia kërkon kush, po largohet, këtij tjetri që i thonë të gjithë largohu, nuk largohet, ky është ndryshimi. Që nga 1997 nuk ka humbur opozita shqiptare kaq thellë. Kuptohet se me këtë nuk fitohen më zgjedhjet kurrë, kur i ka humbur të gjitha ndaç me armë apo me votë. Duhet të ketë hall të madh, interesat duhet të jenë të mëdha, sepse nuk ka arsye tjetër. Unë mendoj se halli më i madh është SPAK. Në kushtet që SPAK po godet, grupet rreth tij do dobësohen, ndaj po përpiqen t’i qëndrojnë afër sa të munden duke i dhënë energji, edhe pse ai aktualisht ka edhe probleme fizike. Ndaj thotë edhe se zgjedhjet ishin farse, s’ka zgjedhje të lira etj., por është e kotë. Rama dihet se bën inxhinierimin e votës dhe ndërhyn te ajo. Ka të dhëna nga terreni për blerje vote, por përsëri nuk mund të themi se ishte në atë nivel si në 2021, kur u vranë edhe njerëz apo pati dhe prova flagrance. Pra këtë herë nuk ishte veprimtari e madhe. Më parë u janë dhënë njerëzve shtëpi në këmbim të votave. Vota e diasporës është edhe më e vështirë që të blihet apo influencohet, edhe pse ka probleme. Mendoj se vota e diasporës ka qenë e lirë dhe ndikoi organizimi. Berisha dështoi në organizimin në diasporë”, tha analisti.

Ai e cilëson kreun e PD-së si të paaftë politikisht dhe madje fizikisht për të fituar zgjedhje. Madje sipas tij problemet për pamundësinë efitores gjenden brenda PD-së dhe jo te kundërshtari.

“Berisha është i paaftë të fitojë, madje që nga 2011 e deri tani ka humbur, unë them se problemet janë të brendshme në PD. PD aktualisht nuk ka prova për manipulim të votave. Rezultati ka diferencë të madhe votash në krahasim me 2021, kur ishte vetëm 2%, kurse sot një hendek dhe Berisha duhet ta shpjegojë këtë diferencë që shkon deri në 20%. Edhe nëse ai ka të drejtë, njerëzit e konsiderojnë si humbës dhe pa kauzë. Beteja e Berishës për vjedhjen e votave është farsë. Berisha e di shumë mirë që nuk e fion këtë betejë, por po e bën për t’u mbrojtur brenda partisë së vet, për të shmangur llogaridhënien në parti, për të shmangur vëmendjen nga humbja dhe për ta zgjatur sa më shumë debatin, ndaj ka edhe këtë konfliktualitet dhe agresivitet nëpërmjet gjuhës”, analizoi ai për ‘Studio Live’.

Por përse po ndjek këtë diskurs politik Berisha?

“Ai po mban peng opozitën dhe PD-në për interesin e tij, po sillet si një faraon që po merr në varrin politik edhe gjithë të tjerët rreth tij, duke kërkuar të mbrohet nga SPAK dhe ndërkombëtarët, ku në fund do dëmtojë edhe opozitën në tërësi. Berisha nuk largohet sepse është në hall, ai do vazhdojë ta tërheqë zvarrë partinë e vet deri në fund”, shprehet Mërtiri.

Kurse për partitë e reja thekson se ato patën një defekt të madh dhe ego që nuk u bashkuan, pasi mendonin të përfitonin ‘llokmën’ nga çarja e sistemit.

“Unë mendoj se nuk janë partitë e reja fajtore që kanë vjedhur, korruptuar dhe dëmtuar sistemin apo institucionet. Kritika ime kryesore ishte se nuk u bënë bashkë, duhet të bashkoheshin. Unë mendoj se ata kanë një mision. Nëse ishin kundër sistemit, ata duhet të bëheshin bashkë, të tregoheshin të pjekur të futeshin në një listë. Ata nuk besuan tek njëri-tjetri, janë përçarë mes tyre dhe sulmuan njëri-tjetrin. Kjo i dëmtoi. Këta donin për vete ‘llokmën’ që mund të merrej nga dëshpërimi qytetar ndaj sistemit politik, por dështuan. Kjo tregoi papjekuri të tyre dhe u dha shpresë Ramës dhe Berishës në veçanti, që do ishte më i dëmtuari nga partitë e reja”, përfundoi analisti.

A.Q/A.A/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Operacioni Ura, si e vlerësoni punën e SPAK ndaj grupeve kriminale?