...Këto kohë mbylljeje të detyruar do flasim për mbylljen, si të mbyllurit... përveç të tjerave po dalin dhe ca lloje videosh, të bëra virale që tregojnë me humor të fortë mërzinë e madhe të burrave të mbyllur në shtëpitë e tyre nga shkaku i pandemisë së CoronaVirusit.
Në njërën, p.sh. tregohet se në ditën e pestë a të shtatë të ngujuarit lehin si qentë, diku tjetër blegërijnë si delet, hungërijnë si dërrat, në një video tjetër dikush është duke u hedhur nga ballkoni nga ndejtja e padurueshme mbyllur, në ditën e tretë të tij me gruan dhe vjehrrën, etj, etj.
Natyrisht dhe duan të bëjnë për të qeshur të ngujuarit dhe veten, një e qeshur që fsheh brenda fanatizëm patriarkal, do të thosha, krejt ndryshe dhe e kundërta e atyre videove që tregojnë të mbyllurit në ballkone e dritare pallatesh në Napoli, Romë, Milano, Palermo, por dhe në Tiranë e Durrës, etj, duartrokitjet për mjekët dhe infermierët dhe atyre që punojnë jashtë, mes rrezikut të padukshëm.
Ndërkaq, që të jem i sinqertë, nuk i dua leximet tani nga halli. Më mirë të mos lexohem. Librat s’janë maskat antivirus, librat heqin maskat, të bëjnë më të lirë, të mbyllin për të gjetur vetveten e të ndihmojnë per t’u dhënë kuptim veprave të tua, etj, të mësojnë të duash, etj. Të dëgjosh muzikë, edhe atë të brendshmen dhe të ndjesh flatrat qiellore...
Ndërkaq jam i detyruar të kujtoj befas mbylljen e rëndë në biruca policie e degash të punëve të brendshme të të arrestuarve kundêr regjimit, jo me ditë, por me muaj dhe me vite dhe ata që lehnin ishin hetuesit, kryetarët e degave, prokurorët, blegërinin dëshmitarët, komisarët e burgjeve, hungërinin komandantët, gjarpëronin spiunët, etj, (ndjesë qenëve, deleve, dërrave, gjarprinjëve për krahasimin, them siç do të thoshte Heinrich Böll).
Të burgosurit me vite e dekada ruajtën një dinjitet të madhërishëm.
Po populli jashtë burgjeve, por brenda telave me gjëmba të atdheut? Qëndroi dhe ai... dhe tani duket e natyrshme tallja me karantinën. Por të mos harrojmë vetërrethimin e madh e mizor të Shqipërisë për një gjysnë shekulli... Nejse...
Krahas videove me porositë e domosdoshme për të përballuar gjendjen e jashtëzakonshme, çmoj shumë dhe më mrekullojnë videot e lutjeve dhe meshave, që nga ato te një prifti vetëm a të një kishe maleve në Rrëshen e deri në Bazilikën e madhe në Selinë e Shenjtë në Vatikan. Shpirti i njeriut del triumfues mbi vështirësitë dhe të keqen. Çasti është përjetësi e vogël, përjetësia është çast i madh...