Portali e-Albania ka gjeneruar mbi 11 milionë dokumente me vulë elektronike për qytetarët dhe bizneset duke zëvëndësuar radhët dhe përballjet me zyrtarët e shtetit. Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së informacionit, Linda Karçanaj tha sot se falë e-Albania nuk ka më zyrtarë me vulë në xhep apo rryshfet nën dorë në zyrat e shtetit.
“Në e-Albania janë gjeneruar në total 11,354,513 dokumente me vulë elektronike dhe 91134 dokumente me nënshkrim elektronik, duke shënuar një rritje rekord edhe të shërbimeve që sot të platformë ofrohen me vulë dhe nënshkrim elektronik, edhe të aplikimeve të kryera nga qytetarët në çdo kohë”, tha Karçanaj.
Ajo garantoi se do të rriten më tej shërbimet me vulë dhe nëshkrim elektronik në platformën unike e-Albania, dokumente ligjore të vlefshme për t’u përdorur në çdo zyrë shteti.
Dhënia e shërbimeve publike online është një nga arritjet më të mëdha, të vlerësuar ndërkombëtarisht, për lehtësimin e procedurave burokratike në marrjen e shërbimeve publike, si për qytetarin dhe biznesin. Dokumentet me vulë dhe nënshkrim institucional janë me vlerë të njëjtë ligjore si dokumentet, dikur në letër.
“Në e-Albania kemi 1207 shërbime online, nga të cilat 238 dokumente merren në kohë reale me vulë dhe nënshkrim elektronik, për qindra aplikime të ndryshme. Sot, me e-Albania, procedurat janë të thjeshta, të gjitha veprimet kryhen online nga kompjuteri apo smartfoni dhe dokumenti merret në kohë reale, me vlerë të plotë ligjore”, tha Karçanaj.
Vula elektronike dhe nënshkrimi elektronik i përket vetëm institucionit lëshues të dokumentit dhe aksesin mbi të e ka vetëm ai institucion.