Papa Francesku dhe kardinali Pietro Parolin

Bota

Kardinali Parolin: Spekulime të kota për dorëheqjen e Papa Franceskut, jo presioneve!

22 Shkurt, 19:36| Përditesimi: 22 Shkurt, 19:45

  • Share

“Më duken të gjitha spekulime të kota. Tani po mendojmë për shëndetin e Atit të Shenjtë, shërimin e tij, kthimin e tij në Vatikan: këto janë të vetmet gjëra që vlejnë”.

Kështu, në një intervistë për të përditshmen italiane Corriere della Sera, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, i përgjigjet pyetjes, sipas së cilës në media po flitet këto ditë për dorëheqjen e mundshme të Papës Françesku, shtruar që nga e premtja e kaluar në Spitalin Gemelli.

Gazetarit, që e pyet nëse vëren një klimë të veçantë ndërmjet përhapjes së lajmeve të rreme dhe korbave rreth Vatikanit, kardinali i përgjigjet: 

“Sinqerisht, më duhet të them se nuk e di nëse ka manovra të këtij lloji dhe se përpiqem, gjithsesi, të qëndroj jashtë tyre. Nga ana tjetër, mendoj se është krejt normale që në këto situata mund të përhapen thashetheme të pakontrolluara ose të bëhen komente të papërshtatshme: sigurisht nuk është hera e parë që ndodh. Nuk mendoj se ka ndonjë lëvizje të veçantë, megjithatë, deri tani nuk kam dëgjuar diçka të tillë”.

Kardinali Parolin, i kthyer nga Burkina Faso pak ditë më parë, i bëri të ditur Papës se është në dispozicion për ta takuar në spital, nëse e sheh të nevojshme, “por deri tani nuk ka pasur nevojë”. 

“Në këtë aspekt”, shtoi kardinali Parolin, “është më mirë të mbetet i mbrojtur dhe të ketë sa më pak vizitorë, në mënyrë që të mund të pushojë dhe kështu t’i bëjë më efektive terapitë, që po kalon. 

Falë Zotit, lajmet që vijnë nga Gemelli janë inkurajuese. Papa po shërohet. Iu dërguan disa dokumente zyre, gjë që do të thotë se është gjithnjë më mirë”.

Nga ana e tij, prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Doktrinën e Fesë, Kardinali Victor Manuel Fernández, i intervistuar nga gazeta argjentinase La Nación, shprehet kështu: 

“Nuk ka kuptim që disa grupe bëjnë presione për dorëheqje. Këtë e kanë bërë disa herë vitet e fundit, por ky duhet të jetë vetëm vendim krejtësisht i lirë i Atit të Shenjtë, që të jetë edhe i vlefshëm”. 

Më pas, shton: 

"Nuk shoh ndonjë klimë para-konklavi, as nuk dëgjoj më të flitet për pasardhës të mundshëm, si një vit më parë, domethënë - asgjë e veçantë". “Për mua - përfundon kardinali Fernández- është e rëndësishme që trupi i Papës të ketë reaguar mirë ndaj terapisë aktuale”. /VaticanNews/

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Primaret në PD, a mendoni se do të jetë një proces i drejtë?