Shëndeti

Kardiologu Edjon Hajro: Kontrolloni zemrën në kohë, rastet po shtohen! Ja faktorët që ndikojnë dhe kujdesi gjatë ditëve të nxehta

12 Korrik, 21:59| Përditesimi: 12 Korrik, 22:23

  • Share

I ftuar në emisionin “Klinika 24” në Report TV, me moderatore Doreada Mio, ishte mjeku kardiolog Edjon Hajro, nga Spitali Amerikan Nr. 3 në Tiranë.

Sipas tij, ka nisur të vërehet një ndryshim pozitiv sa i takon ndërgjegjësimit për masat parandaluese në fushën e kardiologjisë. Megjithatë, shqetësimet për sëmundjet kardiovaskulare janë në rritje për shkak të stilit të jetesës moderne, faktorëve gjenetikë, si edhe ndikimeve të jashtme si; stresi dhe përdorimi i lëndëve narkotike.

“Këta faktorë ndikojnë ndjeshëm në shëndetin e zemrës”, theksoi doktori, duke shtuar se kujdesi duhet të jetë edhe më i shtuar gjatë temperaturave të larta të verës.

Ai paralajmëroi për rrezikun e menjëhershëm që sjell futja në ujë të ftohtë pas ekspozimit në diell, pasi kjo mund të shkaktojë probleme serioze për zemrën, deri në rrezik për jetën. Gjithashtu, ai theksoi rëndësinë e një diete të ekuilibruar, duke rekomanduar veçanërisht modelin e dietës mesdhetare, si dhe shmangien e vakteve të rënda para larjes në det apo pishina.

Doktori u ndal edhe tek rëndësia e kontrollit të rregullt kardiologjik, që sipas tij nuk duhet anashkaluar pavarësisht moshës apo simptomave.

“Një kontroll rutinë që përfshin matjen e kolesterolit, analizat e gjakut dhe urinës, mund të japë informacione shumë të vlefshme për gjendjen e zemrës dhe për të parandaluar probleme serioze në kohë”, u shpreh ai ndër të tjera për ‘Klinika 24’.

Ora 22:22
Pediatria Sonila Biba për Report Tv: Fëmijët mund të shkojnë në plazh, por me kujdes të shtuar! Masat që duhet të marrin prindërit

1752346945_klinika24.jpg

E ftuar në emisionin “Klinika 24” në Report TV, me autore Doreada Mio, ishte edhe doktoreshë Sonila Biba, pediatre dhe specialiste e neonatologjisë.

Ajo foli mbi momentin më të përshtatshëm kur një fëmijë i vogël, pas lindjes, mund të udhëtojë dhe të shkojë me prindërit për pushime.

“Fëmijët, në varësi të gjendjes së tyre shëndetësore, mund të shkojnë në det, por vetëm nëse respektohen disa kushte specifike”, tha ajo në studio.

Sipas saj, një nga aspektet më të rëndësishme është kohëzgjatja e qëndrimit në bregdet, e cila nuk duhet të jetë e gjatë, veçanërisht për foshnjat dhe fëmijët nën moshën njëvjeçare. Po ashtu, theksoi nevojën për masa të shtuara mbrojtëse ndaj diellit, temperaturave të larta dhe ndotjeve që mund të gjenden në ambientet publike të plazhit.

“Çdo fëmijë që shkon në bregdet duhet të jetë i pajisur me krem mbrojtës, rroba pambuku, kapele dhe shumë ujë. Qëndrimi në orët e pikut nuk rekomandohet aspak”, theksoi mjekja.

Ajo shtoi gjithashtu se një nga shqetësimet më të shpeshta që hasen te fëmijët gjatë pushimeve është problemi me tretjen, veçanërisht diarretë, që vijnë nga uji, ushqimet ose mungesa e higjienës.

Për këtë arsye, mjekja rekomandoi që të bëhet një vizitë te pediatri përpara nisjes, për të këshilluar prindërit rreth masave parandaluese dhe për të ndjekur një profilaksi të përshtatshme, në varësi të historisë shëndetësore të fëmijës.

“Pushimet me fëmijët e vegjël kërkojnë përgatitje, organizim dhe mbi të gjitha, kujdes të veçantë për të shmangur komplikacione të panevojshme,” përfundoi ajo.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Përplasja mes Lapajt e Shabanit për mandatin, kush mendoni se ka të drejtë?