Nëse politika do të kishte një pasqyrë të ndershme, ajo sot do t’i tregonte Sali Berishës një pamje që ai vetë nuk do e pranonte kurrë: një politikan i konsumuar, që në përpjekje për të mbijetuar në një skenë që s’e njeh më, është shndërruar në karikaturë të vetvetes.
Ish-kryeministri 80-vjeçar, që dikur bënte moral për rininë, për reformën, për orientimin properëndimor të Shqipërisë, sot është bërë simbol i një politike të lodhur, pa energji, pa ide dhe mbi të gjitha pa koherencë. E kemi parë muajt e fundit të ngatërrojë shifra, të harrojë emra, të mbajë fjalime ku nuk dihet nëse më shumë duartrokitet për atë që thotë apo për gafat që bën.
Por më ironikja ndodh kur sheh se si ai vetë po bie viktimë e asaj që dikur e quante “karikaturë të politikës amerikane” — Joe Bidenin. Ai që dikur i thurte lavde Donald Trumpit dhe fliste për “demokratë globalistë që po zhysin botën në dekadencë”, sot imiton pikërisht presidentin Biden: një burrë i moshuar në kufijtë e perceptimit politik, që lufton me kujtesën më shumë se me kundërshtarët.
Karma është e pabesë.
Dikur, përfaqësuesit e Partisë Demokratike e shanin Joe Bidenin në çdo cep të politikës së tyre. E quanin të paaftë, të kapur nga “sorosianët”, një simbol të asaj çfarë ata pretendonin se nuk do të bëhej kurrë Shqipëria. Por sot, Berisha ka përfunduar në të njëjtin pozicion që e tallte: një lider i vjetër që ka humbur lidhjen me realitetin, që rrethohet nga një rreth besnikësh të verbër, dhe që përpiqet të ngjallë entuziazëm me frikën, jo me shpresën.
Dhe për të kompletuar paradoksin, vjen edhe zgjedhja e La Civita-n si strateg fushate – një ish-këshilltar i Donald Trump. Por çfarë mund të bëjë një “trumpist” për një kandidat që sillet si Biden? Këshillat e La Civita-s, përtej fasadës mediatike, janë të destinuara të bien në vesh të shurdhër: një fushatë që mbështetet tek një lider që mezi mban mend çfarë ka thënë vetë, nuk ka më nevojë për strategji, por për ndershmëri me veten dhe me votuesit.
Fushata e Sali Berishës është kthyer në një teatër absurdi: një njeri që akuzon të tjerët për korrupsion, ndërsa vetë është shpallur “non grata”; një lider që flet për të ardhmen, ndërkohë që mbështetet tek e kaluara; një parti që pretendon të jetë opozita e re, por që drejtohet nga figura më e vjetër në politikën shqiptare.
Më shumë se një garë politike, ajo që ndodh sot është një përballje mes të ardhmes dhe një e kaluare që s’pranon të largohet. Dhe në këtë përplasje, qytetarët shqiptarë po e kuptojnë gjithnjë e më shumë se zgjedhja nuk është vetëm mes partive, por mes dy mënyrave për të parë Shqipërinë, ku njëra është ky që thashë më lart.
Shqipëria që qytetarët duan nuk mund të ndërtohet me duar që mbajnë peng të shkuarën.
Koha e Sali Berishës ka përfunduar. Dhe nëse ka ndonjë drejtësi të vërtetë në politikë, ajo është ironia me të cilën historia sillet: nga një kritik i Bidenit, në një kopje të tij. Nga një përkrahës i Trumpit, në një pacient të retorikës së vet.
Kjo është karma politike.
Komente
