Me shumicë votash në një seancë maratonë, Kolegji Zgjedhor rrëzoi kërkesën e PD, që i kërkonte gjykatës të mos njihte shpërndarjen e mandateve të 11 majit, sipas variantit përfundimtar të Komisionit Rregullator në KQZ. Me këtë vendim, i hapet rruga Presidentit Bajram Begaj të thërrasë mbledhjen e parlamentit të ri.
***
Përpjekja e fundit ligjore e Partisë Demokratike për të ndryshuar mandatet e 11 majit dhe zvarritur mbledhjen e Parlamentit të ri, dështoi në Kolegjin Zgjedhor këtë të enjte.
Gjykata e zgjedhjeve i dha bekimin ndarjes së mandateve të 140 deputetëve, duke i hapur rrugë thirrjes së parlamentit të ri nga Presidenti Bajram Begaj.
Megjithatë, vendimmarrja nuk ishte e lehtë. Ajo u parapri nga një seancë maratonë më shumë se 8-orëshe, me disa herë ndërprerje, tensione dhe ngritje tonesh në sallën e gjyqit.
Diskutimi kryesor ishte nëse në ndarjen e mandateve, KQZ kishte ndjekur të njëjtin standard kur kishte pranuar ose dorëheqjet, gjë që u reflektua edhe në ndarjen e votave të trupës gjykuese: 3 me 2.
Përfaqësuesi i PD në këtë proces, Franci Nuri, i pakënaqur nga kjo vendimmarrje, tha se me ndryshimet e ardhshme në Kodin Zgjedhor, Kolegji Zgjedhor duhet të shkrihet.
Ndërsa përfaqësuesi i PS Eridjan Salianji tha se gjykata pa me lupë çdo element të procesit, por nuk konstatoi asnjë shkelje që mund të çojë në përsëritje të zgjedhjeve.
Në zgjedhjet e 11 majit, Partia socialiste mori 83 mandate, PD dhe aleatët e saj pësuan rënie historike me 50 mandate, PSD 3 dhe 4 mandate të tjera u morën nga partitë e reja.
Kryetari i partisë “Bashkimi Popullor i Pensionistëve”, Selami Jenisheri është paraqitur sot në Kolegjin Zgjedhor për të mbështetur Partinë Demokratike në betejën ligjore me KQZ lidhur me certifikimin e zgjedhjeve të 11 majit.
Për Partinë Demokratike sot ishte mundësia e fundit për të rrëzuar rezultatin e certifikuar e parlamentareve të zhvilluara më 11 maj.
Jenisheri pretendon se këto zgjedhje janë një farsë që prej vitit 2021, ndërkohë që shton se populli i ka mbushur xhepat me para, ndaj duhet t'i dalim për zot.
“Ne nuk jemi deputetë për të mbyllur gojën këtu. Na i ka mbushur xhepat me para populli dhe jemi betuar aty se do t’i dalim zot. Duhet të përulemi përpara popullit”, thotë Jenisheri.
Komente
