Është premtuar pothuajse nga të gjitha qeveritë dhe kryebashkiakët gjatë tre dekadave të pluralizmit, por vlefshmëria e kartës së studentit nuk është bërë kurrë realitet, për arsyen e thjeshtë se ka një kosto financiare. Ministrja e Arsimit Rinisë dhe Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, sigurisht me vullnetin e qeverisë, ka propozuar një projektvendim për të bërë funksionale kartën e studentit. Projektvendimi që pritet të miratohet nga qeveria parashikon që studentët, përmes kartës unike, të përfitojnë disa shërbime me kosto të reduktuar ose me tarifë zero, nga entet shtetërore, njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe subjekte të tjera publike dhe private.
Projektvendimi është hartuar në kuadër të paktit me universitetin. Konkretisht, projektvendimi do të bëjë të vlefshme kartën e studentit, si një dokument unik për një paketë të gjerë shërbimesh. Studentët, përmes kartës, do të përfitojnë shërbime me kosto të ulet ose me zero kosto financiare në fushën e artit dhe kulturës, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, arsimit, sportit dhe rinisë, transportit, turizmit dhe mjedisit, ekonomisë, financave, punësimit dhe trajnimit dhe ato të mbrojtjes. Ndërkaq, sa i takon shërbimeve konkrete, ato të përcaktohen nga ministrat sipas fushës së përgjegjësisë përkatëse, përmes një urdhri të përbashkët me ministrinë përgjegjës për Arsimin.
Në urdhrin e përbashkët do të përcaktohen edhe çmimet e reduktuara, për shërbimet që do të ofrohen. Efektet financiare nga reduktimi i çmimeve që do të vendosen në urdhrin e përbashkët, do të përballohen nga buxheti i ministrive, sipas fushave të përgjegjësisë shtetërore.
Shërbimet me kosto të ulët edhe në BE
Projektvendimi parashikon gjithashtu që studentët të përfitojnë shërbime më çmime të reduktuara dhe në vendet e Bashkimit Evropian. Karta e studentit mund të bëhet pjesë e projekteve ndërkombëtare, përmes marrëveshjeve që lidhen nga ministria përgjegjëse për arsimin dhe organizatat ndërkombëtare që administrojnë projektet ndërkombëtare. Efektet financiare të pjesëmarrjes në projektet ndërkombëtarë, përballohet nga buxheti i ministrisë përgjegjëse për arsimin. Shërbimet e ofruara për mbajtësit e Kartës të Studentit përfitohen nga të gjithë mbajtësit e kartës së studentit në Republikën e Shqipërisë si dhe lihet mundësia që ministria përgjegjëse për çështjet e arsimit të lidhë në bazë të vullnetit të saj të nënshkruaj marrëveshje duke e përfshirë kartën e studentit në projektet të tjera ndërkombëtare.
Shërbimet nga bashkitë
Në pikën 4 të projektvendimit përcaktohet se në nivel vendor, marrëveshjet për ofrimin e shërbimeve më çmime të reduktuara për mbajtësit e kartës së studentit nënshkruhen ndërmjet njësive të vetëqeverisjes vendore dhe ministrisë përgjegjëse për arsimin. Efektet financiare nga reduktimi i çmimeve përballohen nga buxhetet e njësive të vetëqeverisjes vendore. Në pikën 5 të projektvendimit përcaktohet se njësitë e vetëqeverisjes vendore nënshkruajnë marrëveshje me subjekte të tjera publike dhe private për ofrimin e shërbimeve më çmime të reduktuara për mbajtësit e kartës së studentit.
Nisma
Ministrja e Arsimit Rinisë dhe Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, sigurisht me vullnetin e qeverisë, ka propozuar një projektvendim për të bërë funksionale kartën e studentit.
Fushat
Studentët do përfitojnë shërbime me kosto të ulet ose me zero kosto në fushën e artit dhe kulturës, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, arsimit, sportit dhe rinisë, transportit, turizmit dhe mjedisit, ekonomisë, financave, punësimit dhe trajnimit dhe ato të mbrojtjes.
(Kliko këtu për të lexuar shërbimet e kartës së studentit)