Kandidatët e opozitës që kanë pretendime për votën preferenciale brenda koalicionit PD-ADSHM nuk tërhiqen nga beteja për rinumërim.
Pas rrëzimit që u bëri fundjavën e kaluar KAS-i ankimimeve të depozituara si kandidatë, edhe me votat e anëtarëve të PD-së në atë Komision, me argumentin se duheshin bërë nga subjejktet politike, Ilir Alimehmeti nga PD, i cili doli i dyti më i votuari në listën e hapur të qarkut të Tiranës në garën e 11 majit, ka depozituar ankimimin në shkallën e dytë, në Kolegjin Zgjedhor, pranë Gjykatës Administrative të Apelit, teksa shorti do të hidhet ditën e nesërme (3 qershor).
Paralelisht të njëjtin ankimim ka bërë edhe Partia e Ballit Kombëtar Demokrat për qarkun e Durrësit, ku pretendues për parregullsi në numërim të votave të kandidateve brenda opozitës është kandidati demokrat Aulon Kalaja. Ky i fundit pretendon se votat preferenciale për të janë devijuar nga numëruesit e PD-së në drejtim të kandidatit fitues të listës së hapur, prokurorit Arjan Ndoja, i lakuar për lidhje me bandat kriminale dhe i shkarkuar nga vettingu.
Gazetarja e Report TV, Esiona Konomi, informon se PBKD i kërkon Kolegjit Zgjedhor rinumërimin e votave në këtë qark dhe pavlefshmërinë e rezultatit të 11 majit që ka certifikuar fillimisht KQZ dhe më pas rrëzimin e ankimimit që i ka bërë KAS-i.
Kujtojmë se për qarkun Durrës, një tjetër kandidate që pretendon se i janë vjedhur votat brenda partisë është edhe Ilirjana Kuçana, teksa një e dytë, Andia Ulliri, ka ankimuar për shkak se pretendon se fiton mandatin nga kuota gjinore dhe se ky mandat sipas ligjit zgjedhor, nuk i takon ish-prokurorit Arjan Ndoja por asaj.
Një tjetër kandidat i PD-së që kërkon rinumërim, veçanërisht për KZAZ-në e Tropojës, është edhe Shkëlqim Shehu, i cili humbi mandatin e listës së hapur përballë kolegut të tij, deputetit Isuf Çela, pas numërimit të votave të diasporës.
Shehu kryesonte numërimin brenda vendit dhe doli fitues, por diaspora përmbysi raportin. KAS ia rrëzoi kërkesën Shehut më 27 maj dhe ai ka ankimuar në Kolegjin Zgjedhor, ku gjithashtu si në dy rastet e mësipërme, do të hidhet nesër shorti në Apelin e Administratives Tiranë.
KAS rrëzoi më 30 maj katër kandidatë të opozitës që kërkuan rinumërime të votave për kandidatët në Tiranë dhe Durrës (Ilir Alimehmeti, Mimoza Hajdarmataj, Lisandër Hoxha dhe Ilirjana Kuçana), sepse në ankimimet e tyre duhet t’i përfaqësonte si subjekt Partia Demokratike.
Kjo zbuloi edhe lojën e dyfishtë politike të Sali Berishës me kandidatët e PD, që publikisht deklaronte transparencën për rinumërim të votave brenda partisë, teksa sulmonte kundërshtarin për 'farsë elektorale', kurse teknikisht nuk lejonte përfaqësimin si subjekt në KAS të kërkesave.
Sipas ligjit zgjedhor, ankimimi duhet të bëhet nga subjekti politik dhe jo nga kandidati. Madje një prej anëtarëve të KAS, Ledio Braho, solli si precedent një rast të zgjedhjeve të kaluara, ku kandidati ishte rrëzuar pas ankimimit personal.
PS dhe PD bashkuan votat në KAS (4 vota) për të rrëzuar ankimimet e 4 kandidatëve të PD-së dhe vetëm Ilir Rusmali u shpreh pro, që të pranoheshin edhe ankesat individuale të kandidatëve për rinumërim të votave preferenciale brenda partisë.
Kërkesa e Ilir Alimehmetit ,Aulon Kalaja dhe Shkëlqim Shehu
Komente
