Moment gjatë mbldhjes së KAS për ankimimin e PD-së për Korçën

Politikë

KAS merr në shqyrtim edhe ankimimin e PD për Korçën, shtyhet për të enjten! Nuri: Duam pavlefshmëri të zgjedhjeve, deformime në diasporë! KQZ: S'ka prova serioze

30 Maj, 16:30| Përditesimi: 30 Maj, 16:54

  • Share

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve mori në shqyrtim pasditen e sotme edhe ankimimin e Partisë Demokratike, për rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit në qarkun e Korçës, të certifikuara nga KQZ.

Opozita pretendon parregullsi të shumta gjatë fushatës, ditës së votimit dhe më pas në procesin e numërimit.

PD kërkon pavlefshmërinë dhe përsëritjen e zgjedhjeve për këtë qark, e njëjta kërkesë që është depozituar si ankimim edhe për 11 qarqet e tjera, që janë ende në proces në kas.

Provat e pretenduara kanë qenë pothuajse identike në formë e përmbajtje sikurse ato në rastet e Kukësit dhe Dibrës. Përfaqësuesi ligjor i PD-ADSHM, Franc Nuri, lexoi para KAS faktet dhe provat e pretenduara, që përfshinin nga parregullsi për përdorim të administratës në zgjedhje, “asfaltit elektoral’ nga qeveria, përdorimi i patronazhistëve, ndikimi dhe deformimi i votës së diasporës dhe deri te përfshirja e elemntëve kriminalë në zgjedhje.

Nuri gjithashtu serviri foto të ndryshme dhe shkrime, ku tha se provojnë problematikat dhe parregullsitë në zarfet e votës së diasporës apo procesit të numërimit dhe votimit.

Nuri deklaroi se “parregullsitë në proces, sidomos në atë të diasporës, prek veçanërisht më shumë qarkun e Korçës, pasi ka emigracion të lartë në Greqi dhe SHBA, ndaj presim informacione dhe të dhëna të detajuara, që kërkojmë të na vihen në dispozicion”.

Ashtu sikurse edhe në rastet e Dibrës, Vlorës, Beratit dhe Kukësit, përfaqësuesit e KQZ mohuan parregullsitë serioze që të kishin shkaktuar deformimin e rezultatit, duke ritheksuar se edhe për Korçën, komisionerët e PD-së dhe numëruesit kanë aprovuar dhe firmosur tabelat e rezultateve dhe procesverbaleve.

"Nuk ka pasur asnjë parregullsi apo shkelje që të ketë çuar në një rezultat të ndryshëm apo në deformimin e tij. KQZ ka analizuar dhe aprovuar tabelat përmbledhëse të rezultateve sikurse për të gjitha qarqet, ndaj kemi të njëjtin vlerësim edhe për Korçën, se nuk ka pasur ndikim tek rezultati dhe pretendimet e subjektit nuk qëndrojnë", u shpreh drejtoresha e KQZ, Pavlina Doçaj.

Të njëjtin qëndrim mbajti edhe përfaqësuesja ligjore e PS-së, Elena Xhinaj, e cila pasi vlerësoi narrativën e kolegut të PD-së me detajet e servirura, u shpreh se asnjë prej tyre nuk qëndronte si raste serioze apo si prova që kishin deformuar procesin dhe rezultatin zgjdhor.

Madje përsa i përkiste problematikave, ajo nënvizoi se edhe përfaqësues të PS-së janë ndjerë nën presion gjatë fushatës apo ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, por këto nuk përbënin shkaqe apo prova për ndryshim rezultati.

"Përsa i përket shkrimeve të pretenduara që flasin për këto problematika, mendoj se ato jo vetëm nuk përbëjnë prova, por janë qëndrime personale të individëve të ndryshëm", tha Xhinaj.

Pasi u dëgjuan të gjitha pretendimet e palëve përfaqësuese nga KAS, relatori Ilirjan Rusmali pasi u konsultua me palët, vendosi shtyrjen e mbledhjes për këtë qark të enjten e 5 qershorit, në orën 11:30 të paradites, në varësi edhe të ecurisë së rendit të ditës.

"Në mënyrë që t'u lëmë palëve të ezaurojnë materialet që duhet të vënë në dispozicion për mbledhjen e ardhshme dhe përgatitjen besoj se dita e enjte është e përshtatshme dhe në varësi të ecurisë së mbledhjeve të tjera, ne do jemi këtu dhe e vendosim së kur do e mbajmë. paraprakisht e lëmë për të enjten në ora 11:30", tha ai, duke deklaruar mbylljen e seancës.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    PD kundër kërkesave të kandidatëve të saj për rinumërim, ishte vendim i drejtë?