KAS regjistroi PD-në e Alibeajt në zgjedhje/ Haklaj: 6 marsi nuk do përsëritet, demokratët janë kthjelluar! Kalaja: Partia Demokratike humbi shansin për bashkim

17 Mars 2023, 17:46| Përditesimi: 17 Mars 2023, 18:51

  • Share

Vendimi i KAS për të regjistruar PD-në e Alibeajt në zgjedhjet lokale të 14 majit, ka sjellë paqartësi në degët e Partisë Demokratike duke parë mundësinë e përsëritjes së skenarit të 6 marsit.

I ftuar në studion e Report TV, me gazetarin Arbër Hitaj, ish deputeti i PD, Azgan Haklaj tha se vendimi i KAS tregon qartësisht se kryear i komanduar i Partisë Demokratike është Enkelejd Alibeaj, ndërsa tha se kreu i KQZ, Celibashi, ka cënuar procesin zgjedhor me deklaratat e bëra ku u shpreh se për të ishte e qartë Berisha kishte mbështetjen e simpatizantëve.

Ai u shpreh se ka një ndryshim të situatës nga 6 marsi i vitit të kaluar, duke theksuar se këtë herë demokratët janë kthjelluar dhe nuk do të votojnë për koalicionin e Metës dhe Berishës.

“KAS ka vendosur se ushtrues i detyrës është kryetari komanduar, Enkelejd Alibeaj. Me deklaratat e tij Celibashi cënoi integritetin e procesit zgjedhor. Celibashi mori këtë vendim për t’i dhënë mundësi Berishës të bënte 3 koalicione.  Ndodhi ajo që kemi paralajmëruar, u formua koalicioni, udhëheqës është Partia e Lirisë. Por ka një ndryshim 6 marsi, tani demokratët janë kthjelluar spse Ilir Meta e preu në besë dhe formoi Partinë e Lirisë. Demokratët duhet të zgjedhin mes PD-së dhe PL-së” -tha Haklaj.

Sa i takon thirrjes për të dalë me një kandidat në zgjedhje, Haklaj tha se deklarata nuk duhej keqinterpretuar duke thënë se vendimmarrja për propozimin e kandidatëve u është lënë e lirë degëve të PD-së.

Nga ana tjetër, gazetari, Aulon Kalaja tha se vendimmarrja e KQZ-së, është e paligjshme dhe e konsideroi si një lajm të keq vendimin e marrë nga KAS së fundmi, duke u shprehur se po shihen sërish shenjat e një 6 marsi të dytë.

“Vendimmarrja e KQZ-së është e paligjshme sepse do duhet të priste atë që do shprehte gjykata e Lartë derisa vendimi i gjykatës së Apelit të zbardhej, gjykata e Lartë do duhej të shprehej brenda 30 ditëve. PD humbi një shans për t’u bashkuar, ky është një lajm i keq. Sepse ne horizont shfaqen reminishencat e 6 marsit. Do doja të kishte një lloj reflektimi dhe të njiheshin kandidatët e primareve”- u shpreh Kalaja.

Mbrëmjen e 15 marsit, sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari ka dorëzuar në KQZ kërkesën për regjistrimin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” që kryesohet nga Partia e Lirisë. E dyta në renditjen e partive përbërëse të koalicionit, është edhe Partia Demokratike e Berishës, gjë që pritet të sjellë edhe kthimin e kërkesës për këtë koalicion pasi KQZ nuk e ka pranuar regjistrimin e PD-së së kryesuar nga ish kryeministri, me argument se Basha është ende kryetari ligjor i partisë. Pjesë e koalicionit janë edhe Partia Republikane dhe Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut. 

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?