Nga mbledhja e sotme e KAS

Politikë

Ankimet e PD/ KAS shtyn Lezhën për të enjten, rrëzohet kërkesa për përjashtimin e Rusmalit! Kukësi më 4 qershor! Logu akuza Policisë: Bëri fushatë, na procedoi Gjonin

2 Qershor, 16:21| Përditesimi: 2 Qershor, 17:15

  • Share

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve është mbledhur sot për të shqyrtuar ankimimin e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj të ADSHM, për tabelat e rezultateve të zgjedhjeve të 11 majit për qarkun e Lezhës, të miratuara nga ana e KQZ-së.

Edhe pse PD e ka fituar këtë qark 4 me 3 mandate ndaj PS-së, edhe pse me një ‘grusht’ votash, selia blu ka ndjekur të njëjtën strategji si për qarqet e tjera, duke e ankimuar rezultatin. Ky ankimim po shqyrtohet pas atyre në Kukës, Berat, Dibër, Vlorë dhe Gjirokastër.

Ndërkohë që as sot nuk u arrit të merrej një vendim për qarkun e Kukësit, mbledhje e shtyrë nga e premtja e kaluar. Mbledhja e sotme përsëri u shty për datën 4 qershor (përtej afatit të parashikuar), me shpresën që mund të kenë edhe provat e DHL-së për shtete të tjera, përveç Greqisë.

Në përfundim edhe të mbledhjes për Lezhën, relatori Ilirjan Rusmali, pas konsultimit edhe me palët përfaqësuese në sallë, vendosi ta shtyjë për ditën e enjte, 5 qershor, ora 15:00, me qëllim mbledhjen dhe shqyrtimin e provave.

Në nisje të mbledhjes, u rrëzua edhe kërkesa e depozituar nga Logu në emër të PD-ADSHM, për përjashtim të anëtarit Ilir Rusmali, për konflikt interesi. KAS vendosi që subjekti mund të vazhdojë ankimimin në shkallët e mëtejshme, duke e cilësuar të pabazuar pretendimin e dorëzuar nga Logu.

Pretendimet e PD për Lezhën, ankohet pse iu denoncua gjyqtari sheik Gjin Gjoni, e paraqet si provë

Përfaqësuesi i PD-ADSHM kërkoi gjatë fjalës së tij edhe pavlefshmërinë e rezultatit të certifikuar nga KQZ dhe përsëritjen e zgjedhjeve në këtë qark, duke renditur edhe shkaqet që sipas tij konfirmojnë parregullsitë dhe shkeljet e Kodit Zgjedhor.

Logu mes të tjerash renditi edhe procedimet që ka bërë Prokuroria e Lezhës dhe SPAK për dia raste ku ka shoqëruar përfaqësues të PS-së dhe i ka marrë në pyetje, por ai nuk përfshiu këtu rastet e denoncuara nga PS për kandidatin e PD-së në këtë qark, gjyqtarin sheik Gjin Gjoni, tashmë i zgjedhur edhe deputet i Parlamentit.

Madje ai akuzoi Policinë se ishte përfshirë në fushatë elektorale, duke marrë në referim për procedim penal për shpifje ndaj Gjonit, pasi sipas tij uniformat blu nuk e kanë këtë kompetencë.

“Nuk mund të referojë Policia ndaj një kandidati të PD-ADSHM ndjekje penale për shpifje në Prokurori, e kjo tregon përfshirje të saj në fushatë. Madje edhe procedimi i kandidatit tonë pse i ka kërkuar votën një qytetari te shtëpia (rasti i denoncimit të Gjin Gjonit para 11 majit nga një qytetar i Lezhës), kjo është e pakuptueshme”, tha Logu mes të tjerash.

Sips Logut, edhe kryebashkiaku Pjerin Ndreu është përfshirë në urdhra të paligjshëm që nga asfalti elektoral, tek implikimi i zyrtarëve të lartë në fushatë elektorale, presion, përdorim të administratës, përdorim edhe të fondeve publike për efekte elektorale.

Logu akuzoi edhe policinë për përfshirje në fushatë elektorale. Një tjetër pretendim ishte vota e diasporës, që sipas përfaqësuesit të PD-së, ishte jo vetëm e orientuar, por edhe e manipuluar.

Nuk mungoi edhe pretendimi i opozitës për licencat e kanabisit të dhëna nga qeveria apo bonusin e pensionistëve, të dhënë nga qeveria para zgjedhjeve.

Në fund të fjalës së tij kërkoi përfshirjen si prova të të gjitha këtyre ankimimeve, që KAS-i t'i shqyrtojë më tej.

Logu dorëzon kërkesën për përjashtim të Rusmalit, KAS ia rrëzon

Logu dorëzoi edhe kërkesën e PD për përjashtim të anëtarit të KAS, Ilirjan Rusmali, për shkak të konfliktit të interesit, pas debateve të javës së kaluar që patën në seancë shqyrtimi. PD pretendon se Rusmali është edhe këshilltar i Presidencës, teksa kërkon përjashtimin e tij nga të gjitha çështjet ankimore të opozitës.

Por KAS mori vendimin ta rrëzonte këtë kërkesë, duke i lënë të drejtën subjektit PD-ADSHM që "të vijojë ankimimet në shkallët e mëtejshme".

Madje edhe gjatë mbledhjes për Lezhën u vu re tensioni mes dy palëve, teksa Logu iu përgjigj Rusmalit se subjekti nuk kishte interes që ai të përfshihej në çështjen e shqyrtimit, duke i refuzuar disa prej pyetjeve të drejtuara rreth pretendimeve për prova.

KQZ: Ankimimi i PD-ADSHM i pabazuar në prova

Përfaqësuesja e KQZ, Pavlina Doçaj, u shpreh se asnjë nga pretendimet e PD-ADSHM nuk përbën provë serioze dhe bindëse, teksa ankimimi mbetet i pabazuar në fakte që çojnë në përsëritje të zgjedhjeve apo pavlefshmëri. Përfaqësuesja e KQZ-së, Pavlina Doçaj, nënvizoi se nuk ka pasur asnjë kontestim të rezultatit gjatë miratimit të tabelave të rezultateve dhe gjithashtu nuk pati as parregullsi në votim dhe numërim.

Edhe përfaqësuesja e PS, Elena Xhina, i cilësoi të pabaza pretendimet e përfaqësuesit të PD-ADSHM, duke nënvizuar se nuk u paraqit asnjë provë serioze.

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin për rinumërimin e kutive të Qarkut Tiranë?