KAS zhvilloi sot (30 maj) mbledhjen e shtyrë të tre ditëve më parë, për ankimimin e PD-ADSHM, për rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit në qarkun e Kukësit, të cilat KQZ i ka certifikuar pasi nuk konstatoi parregullsi serioze që të çonin te rinumërimi apo përsëritja e tyre, nëpërmjet shpalljes së pavlefshmërisë.
Opozita nuk u tërhoq nga pretendimet e saj, se pati deformim të votës së diasporës, manipulim rezultatesh, përdorim të administratës shtetërore, presione dhe deri tek parregullsitë e tjera, si përfshirja e bandave kriminale. Sot ishte dita ku PD-ADSHM kishte si detyrë të paraqiste provat e pretenduara sipas vendimit të mbledhjes së kaluar, që më tej KAS t'i shqyrtonte nëse qëndronin dhe në fund të shpërhej me një vendim.
Këto pretendime deri tani janë rrëzuar ose janë në shqyrtim, teksa PD ka paraqitur si prova lajme nga portale dhe media pranë familjes së Sali Berishës. Madje relatori Ilir Rusmali iu drejtua edhe me pyetje Nurit nëse ky postim në portal përbënte provë për denoncim, ndërsa përfaqësuesit e KQZ u shprehën se nuk mund të rrëzohen zgjedhjet me lajme mediash e portalesh.
Gjithsesi pas diskutimit, edhe denoncimet për lajmet e medias së familjes së Berishës janë përfshirë për shqyrtim si provë e pretenduar nga KAS. Gjatë kësaj mbledhje KAS dëgjoi dhe përfshiu materialet e dorëzuara nga PD-ADSHM, e cila pretendon se janë prova që çojnë tek rrëzimi i zgjedhjeve në qarkun Kukës. Të gjitha këto pretendime provash KAS do i analizojë para se të shprehet për vendim. Nuri këmbënguli tek vënia në dispozicion të disa të dhënave të kryqëzuara nga PEI për Kukësin.
Në fund të mbledhjes, pasi u dëgjuan pretendimet e opozitës për provat e paraqitura, KAS mbylli dhe shtyu mbledhjen për të hënën e 2 qershorit, si ditën e fundit të diskutimit për këtë ankimim dhe shpalljen e vendimit final.
Mbledhjen e kaluar KAS rrëzoi tre kërkesa të PD; atë për të hapur kutitë, kërkesën për kryqëzimin e shenjave të gishtave nga pajisjet PEI me votuesit dhe kërkesën për vënen në dispozicion të regjistrave të posaçëm të çdo qendër votimi.
Nga ana tjetër KAS, pranoi të shikohen firmat e votuesve në diasporë, që janë sjellë në KQZ nga kompania postare DHL, si edhe raportin e audituesve teknicienë.
Këto dy pika u diskutuan edhe ditën e sotme në mbledhje, teksa Franc Nuri, përfaqësuesi ligjor i PD, këmbënguli se provat janë të mjaftueshme për të shpallur pavlefshmërinë dhe përsëritjen e zgjedhjeve në qarkun Kukës. Ai u shpreh se shumë nga votat e diasporës kanë një dorë që ka kryer firmosjen e dokumenteve të zarfeve apo të fletëve të votimit.
Këto pretendime janë rrëzuar nga grupi i KQZ, ku drejtoresha Pavlina Doçaj theksoi se nuk ka pasur apo nuk janë konstatuar parregullsi të tilla.
Në seancën e kaluar, përfaqësuesi i PD-ADSHM, Franc Nuri, përdori kryesisht raportin e OSBE-ODIHR dhe një lajm të portalit të familjes Berisha, për të kërkuar shpalljen e zgjedhjeve të pavlefshme dhe përsëritjen për qarkun e Kukësit.
Në listën e provave që Berisha kishte paraqitur edhe një shkrim i portalit të familjes së tij, ku Eduard Shalsi akuzohet se u ka ushtruar presion policëve, por në fakt ajo foto është publikuar nga vetë Eduard Shalsi ditën e dëshmorëve, në nderim të një polici të rënë në krye të detyrës.
Komente
