Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit, Kastrati Group në bashkëpunim me organizatën YWCA, kanë çelur ekspozitën e fotografit Rezart Gurashi në mjediset e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.
Kjo ekspozitë fotografike, që mban të njëjtin titull me fushatën botërore, “1 në 8”, tregon rrugëtimin, forcën dhe vendosmërinë e grave të prekura nga kanceri i gjirit. Fotografitë u ekspozuan brenda terminalit të Aeroportit të Tiranës dhe tërhoqën vëmendjen e qindra udhëtarëve të pranishëm.
Si pjesë e kësaj iniciative ndërgjegjësuese u përurua gjithashtu edhe nje instalacion i artistit Ergys Krisiko. Instalacioni artistik “Fjongo Rozë” është një simbol i fuqisë, mbështetjes, dhe shpresës për grate dhe vajzat që janë prekur nga kanceri i gjirit. Fjongoja, e cila është një simbol universal i ndërgjegjësimit dhe solidaritetit, u jep mundësinë udhëtarëve në aeroport që të ndalojnë, të reflektojnë dhe të japin kontributin e tyre duke lënë një mesazh në vepër.
Ornela Bego, përfaqësuese e grupit të kompanive Kastrati, tha “Kemi qenë gjithmonë të angazhuar për të mbështetur kauzat që bëjnë diferencën në jetën e njerëzve, dhe sot jemi krenarë që bashkohemi në këtë nismë. Përmes kësaj ekspozite fotografie dhe instalacionit këtu në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, synojmë të rrisim ndërgjegjësimin dhe të japim mbështetje për të gjitha gratë që përballen me kancerin e gjirit. Të gjithë bashkë, mund të bëjmë më shumë për të parandaluar dhe për të përkrahur ato që kanë nevojë.”
Fushata kulmon në muajin tetor, i cili njihet ndërkombëtarisht si Muaji i Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit, dhe synon të edukojë publikun mbi rëndësinë e parandalimit dhe diagnostikimit të hershëm të kësaj sëmundjeje. Ekspozita e hapur sot në aeroport synon të ofrojë një qasje ndryshe përmes artit, për të prekur dhe ndërgjegjësuar një publik sa më të gjerë.
Donika Godaj Drejtore Ekzekutive e YWCA tha “Kësaj here kemi menduar të japim mesazhin tonë nëpërmjet artit në një vend të veçantë siç është Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës. Ne çdo vit vijmë me elementë të ndryshëm ndërgjegjësimi për diagnostikimin e kancerit të gjirit dhe sivjet kemi zgjedhur moton 1 në 8, që është raporti që prek gratë kudo në botë.”
Kastrati Group, nëpërmjet programit të tij të përgjegjshmërisë sociale “Kastrati për Shëndetin”, mbështet fuqimisht këtë nismë, duke kontribuar në promovimin e mesazhit për kujdesin shëndetësor dhe rëndësinë e diagnostikimit të hershëm.