KATAR 2022/ Bota në pritje të 'pushtuesit' të ri, Argjentinë-Francë bëhen gati për finalen! 'Gjelat' i shqetëson gripi, latinët 'pushtojnë' Doha-n (VIDEO)

17 Dhjetor 2022, 15:14| Përditesimi: 17 Dhjetor 2022, 15:45

  • Share

Në prag të finales së Botërorit me Argjentinën Franca do vijojë të vuajë për shkak të virusit që ka mbërthyer kombëtaren. Kingsley Coman vijon të jetë i izoluar, ndërsa një ditë para ndeshjes mbrojtësit Varane dhe Konate janë stërvitur me ekipin, pasi lanë pas sëmundjen. Sakaq trajneri i ‘gjelave’ Didier Deschamps i mbylli publikisht derën Benzema-s, duke thënë se në këtë finale historike do bazohet te 24 lojtarët që ka në dispozicion pavarësisht se fituesi i ‘Topit të Artë’ la pas dëmtimin.

Sa i takon përballjes që do mbajë të mbërthyer botën e futbollit Deschamps tha se ‘pret që Argjentina ta befasojë’, duke iu referuar skemës dhe lojtarëve që mund të hedhë në fushë. Ai shtoi se ‘Mbappe është në gjendje të shkëlqyer shpirtërore dhe ka nevojë për qetësi që të bëjë më të mirën’. Për finalen nga kampi europian foli edhe kapiteni i Francës Hugo Lloris, i cili deklaroi se ‘Messi është një legjendë, por ne jemi Franca dhe adrenalina që ka mbërthyer kombëtaren do na ndihmojë të fitojmë Botërorin’.

Në kampin kundërshtar nuk ka asnjë mungesë apo lojtarë në pikëpyetje për finalen, ndërsa trajneri Scaloni ka folur me superlativa për ekipin. Ai thotë se ‘pika e fortë e kësaj Argjentine është grupi’ dhe se e bën të lumtur fakti që ‘çdo argjentinas ndjehet pjesë e kësaj arritje’. Sipas Scalonit ‘kombëtarja është shumë e emocionuar që ndodhet në finale’. Sakaq portieri Emiliano Martinez shprehet se ‘Argjentinën nuk e bën të ndihet keq fakti se shumë e konsiderojnë Francën favorite’. Ai shtoi se ‘nuk ndihen inferior dhe se është një ndienjë e çmendur të luash në finalen e Botërorit’.

Koeficentët për fitimin e kupës më të lavdishme janë të barbartë, ndërsa kombëtarja që ia del do shpërblehet me 40 milionë euro. Finalja që nis të dielën në orën 16:00 do luhet në stadiumin Lusail të Dohas, me kapacitet 88 mijë vende. Në këtë aspekt Argjentina është e favorizuar pasi priten mbi 40 mijë tifozë në mbështetje të tyre, ndërsa te Franca jo më shumë se 10 mijë.

Të dy kombëtaret e kanë fituar nga dy herë Botërorin dhe kjo do jetë e treta, ndërsa historia thotë se në 10 përballje në finale mes europianëve dhe amerikano latinëve 7 i kanë fituar këta të fundit.

Ne.k./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?