Çdo mbrëmje në orën 11:00, në emisionin ‘Botërori, No Stop’ në Report Tv do të keni mundësi që të ndiqni momente më pikante të çdo sfide të kampionatit botëror ‘Katar 2022’. Janë zhvilluar plot 4 ndeshje dhe rezultatet janë si më poshtë.
Holanda dhe Ekuadori kanë ndarë pikët në ndeshjen e dytë të grupit A të Botërorit, pasi në stadiumin ‘Khalifa’ të Doha-s kanë barazuar 1-1. Fillimisht rrugën e rrjetës e gjetën ‘tulipanët’ që realizuan që në minutën e 6 me Gapko-n, duke dhënë përshtypjen e një sfide jo edhe aq të vështirë.
Gjithsesi nga ky moment amerikano-latinët rritën ritmin dhe në fundin e pjesës së parë barazuan, por që u anulua për pozicion jashtë loje. Ajo që nuk ndodhi në fundin e pjesës së parë ndodhi me fillimin e së dytës, pasi Velancia baraspeshoi shifrat. Ky ishte goli i tretë për ekuadorianin në këtë Katar 2022 dhe i gjashti personal në 6 golat e fundit që Ekuadori ka shënuar në Botëror.
Me këtë rezultat si Holanda ashtu edhe Ekuadori mbajnë vendin e parë dhe të dytë në grupin A me katër pikë. Sakaq për shkak të humbjes 1-3 kundër Senegalit, Katari, që është edhe vendi organizator, bëhet zyrtarisht skuadra e parë që eliminohet nga grupet e Botërorit.
Më herët, për llogari të grupit B, Irani siguroi 3 pikë dramatike kundër Uellsit. Mjafton fakti që goli i parë erdhi në minutën e 99, i realizuar nga Cheshmi. Më pas aziatikët dyfishuan teksa britanikët ishin hedhur në sulm për të barazuar.
Në këtë ndeshje pati edhe dy detaje të veçante siç ishte kartoni i kuq i Hennessey për Uellsin, i pari në këtë Botëror, ndërsa futbollistët e Iranit për herë të parë kënduan himnin e tyre, pasi në ndeshjen kundër Anglisë refuzuan në shenjë proteste ndaj regjimit në Teheran.
Anglia dhe SHBA barazuan 0-0 në ndeshjen e dytë të grupit B për Kupën e Botës. Në Al Bayt Stadium në Al Khor dy skuadrat nuk shkuan më shumë se barazimi "i thatë" 0-0.