Çdo mbrëmje në orën 11:00, në emisionin ‘Botërori, No Stop’ në Report Tv do të keni mundësi që të ndiqni momente më pikante të çdo sfide të kampionatit botëror ‘Katar 2022’. Janë zhvilluar plot 4 ndeshje dhe rezultatet janë si më poshtë.
Holanda dhe Senegali janë dy skuadrat që kualifikohen në 1/8 e Botërorit nëpërmjet grupit A. I mjaftonte edhe një barazim, por në ndeshjen e fundit të grupit A Holanda ka fituar pastër 2-0 kundër vendit organizator të Botërorit Katarit.
Në stadiumin ‘Al Bayt’ goli i parë erdhi në minutën e 26 nga i përhershmi Gapko, i cili hyri hyri në historinë e ‘tulipanëve’ si sulmuesi i parë që arrin të shënojë 3 golat hapës në 3 ndeshjet e para në grupe.
Ndërkohë shumë emocionuese ka qenë sfida tjetër e grupit, pasi Senegali që kërkonte fitore patjetër për t’u kualifikuar ia ka dalë 2-1 kundër Ekuadorit.
Pas 3 ndeshjeve në grup Holanda kualifikohet si e para me 7 pikë, e ndjekur nga Senegali me 6, Ekuadori 3 dhe Katari 0. Vendi organizator është i pari në historinë e Botërorëve që merr 3 humbje në grup dhe i pari që pëson 7 gola.
Nga ana tjetër, SHBA fitoi 0-1 me Iranin në grupin B të Kupës së Botës. Në "Al Thumama" të Dohas, SHBA iu fal golit të Pulisic për të kaluar në 1/8 e kompeticionit, me duelin që ishte i fundit në këtë grup.
Anglia fitoi 0-3 me Uellsin në grupin B të Kupës së Botës. Ndeshja e fundit e grupit e zhvilluar në "Ahmad bin Ali" në Al Rayyan foli për djemtë e Southgate, me Uellsin që mbijetoi vetëm në pjesën e parë.