Holanda dhe Argjentina luajnë nesër në 20:00 për fazën çerekfinale të Kupës së Botës. Përpara mediave doli trajneri i "Tulipanëve", Louis van Gaal. Trajneri që njihet për karakterin e vështirë s'i ka kursyer ironitë me Di Maria-n, me sulmuesin e Argjentinës që e cilësoi trajnerin më të dobët që ka punuar. "Puthemi në buzë me Depay", këtë tha van Gaal pasi tregoi vlerësimin e tij për Messin.
"Messi është futbollisti më i rrezikshëm në botë, ai është i aftë të krijojë shumë mundësi vetë dhe është gjithashtu një golashënues brilant. Kur Argjentina humbet topin, ai nuk bën shumë. Nuk ndihmon në mbrojtje dhe kështu në mbrojtje ka më pak lojtarë në fushë. Ky është shansi ynë", tha fillimisht trajneri.
Me pas, i pyetur se Di Maria e ka quajtur si trajnerin më të keq që e ka drejtuar (Manchester United), van Gaal nuk i ka kursyer batutat.
"Edhe Depay që kam këtu ka qenë te Manchester United, kemi pasur përplasjet tona pot tani puthemi në buzë. Sa herë e kemi bërë ?", tha van Gaal. Kaq mjaftoi që gazetarët dhe vetë Depay të shkriheshin gazit, me sulmuesin e Holandës që u kujdes të sqaronte se diçka e tillë nuk ishte e vërtetë.