Në ditën e pestë të Kupës së Botës luajnë ndeshjet në grupet G dhe H dhe mbyllen ndeshjet e para në secilin prej grupeve. Prof.dr., Albert Karriqi dha mendimin e tij në emisionin ‘E vëmë me bast’ për 4 ndeshjet që në tërësi i cilëson si të vështira për tu parashikuar.
Për Karriqin, edhe pse me vështirësi, Portugalia dhe Brazili do t’i fitojnë ndeshjet respektive me Ganën dhe Serbinë ndërsa 2 sfidat e tjera, Zvicër-Kamerun dhe Uruguaj-Kore e Jugut i parashikon barazim.
Moderatori Andi Kapxhiu parashikoi barazim në sfidën e parë të ditës mes Zvicrës dhe Kamerunit dhe fitoret e Uruguajit, Portugalisë dhe Brazilit në ndeshjet respektive.
Për Brazilin, publiku që u bë pjesë e emisionit përmes telefonatave ishte i të njëjtës mendje që e fiton ndeshjen ndaj Serbisë. Për sfidën Portugali-Gana, pati dhe nga ata që guxuan duke parashikuar fitore të afrikanëve ose barazim. Pjesa më e madhe parashikon fitore të Uruguajit ndaj Koresë, ndërsa të ndarë ishin parashikimet për sfidën Zvicër-Kamerun.