FT/ Francë 2 - 0 Marok (Theo 5', Kolo Muani 79')
Franca fitoi 2-0 me Marokun në gjysmëfinalen e dytë të Botërorit dhe gjen në finale Argjentinën. Të diel në orën 16:00 djemtë e Deschamps do kërkojnë të mbajnë kurorën e kampionit të botës teksa përballë do jetë Lionel Messi me shokë. Ndeshja e sotme për Francën u vendos nga golat e Theo në minutën e 5 dhe Kolo Muani në minutën e 79.
Ndeshja nisi mirë për francezët, me Theo Hernandez që shënoi pas vetëm pesë minutave lojë. Në një aksion të rrëmujshëm në zonë dhe pas goditjes së Griezmann, topi mbeti në zonë dhe Theo me akrobaci shënoi për 1-0. Pjesa e mbetur e 45 minutave të para riktheu agresivitetin e Marokut, me afrikanët që patën disa mundësi për golin e barazimit. Në minutën e 44 El Yamiq me roveshatë mund të barazonte ndeshjen por zgjatja e Lloris ishte e duhura, me prekjen e portierit që rezultoi deçizive.
Në pjesën e dytë Maroku me një lojë të shkëlqeyer kontrolloi ndeshjen por pa mundur të barazojë. Të pafat djemtë e Regragui që pësuan golin e dytë me Kolo Muani në minutën e 79. Vetëm pak sekonda pasi u fut në fushë, Muani mbylli ndeshjen.
Tanimë finalja e madhe e Katar 2022 është Argjentinë - Francë, me duelin që luhet në stadiumin "Lusail Iconic" të diel në orën 16:00. Ndeshja për vendin 3 dhe 4 është mes Kroacisë dhe Marokut që zhvillohet të shtunë në 16:00.
VIDEO:
79' / Francë 2-0 Marok. Kolo Muani përfiton nga një aksion i shpejtë i Francës dhe gjen golin e dytë vetëm pak sekonda nga futja në lojë. 10 minuta larg nga fundi i ndeshjes, Franca është me një këmbë në finalen e Botërorit.
Trajneri i Kosovës, Alain Giresse së bashku me presidentin francez Emmanuel Macron janë në Doha ku përkrahin nga afër Francën në gjysmëfinale kundër Marokut.
5'/ Francë 1-0 Marok. Franca kalon shumë shpejt në avantazh me Theo Hernandez. Një aksion i rrëmujshëm në zonën e afrikanëve ka bërë që mëngjarashi i Milan të përfitojë dhe me një veprim akrobatik të mposhtë Bono-n shumë shpejt.
Franca dhe Maroku luajnë sot në 20:00 për gjysmëfinalen e dytë të Kupës së Botës. Në qytetin e Al Khor në "Al Bayt Stadium" një nga skuadrat do marrë biletën për të sfiduar Argjentinën në finale. Impianti që ka kapacitet prej 69 mijë ulësesh është mbushur me marokenë. RMC Sport bën me dije se 55 mijë tifozë janë nga Maroku dhe vetëm 14 mijë francezë.
Franca dhe Maroku do kërkojnë të fitojnë biletën për të sfiduar Argjentinën në finalen e Kupës së Botës në Katar. Sot në 20:00 dy skuadrat që zbresin në fushë kërkojë lavdinë, me "Hirushen" Marok që kërkon t'i prishë punë francezëve.
Te Franca skuadra titullare që ka luajtur në ndeshjet e fundit është shumëkombëshe, me lojtarë që janë lindur dhe rritur në Francë por me origjinë nga vende të tjera. Ndërkohë te Maroku 90 përqind e skuadrës është e lindur në emigrim dhe formuar si futbollistë jashtë vendit.