Spanja dhe Gjermania luajnë nesër në 20:00 për grupin E të Kupës së Botës. Para duelit mes dy skuadrave evropiane, trajneri i Spanjës, Luis Enrique ka dashur t'i mbajë të tijtë me "këmbë në tokë". Para medieve tekniku iberik tha se Gjermania ka disa nga lojtarët më të mirë në botë dhe se besimi i tepruar i lojtarëve të tij mund të sjellë ndëshkimin.
"Do të jetë një ndeshje e hapur dhe do të shohim se cila nga dy skuadrat do të arrijë të fitojë. Gjermania është një ekip që di të konkurrojë. Ata kanë një histori fitoresh dhe kanë në skuadër disa nga lojtarët më të mirë në botë, por ne jemi të bindur se mund të fitojmë. Ne nuk duhet të kemi besim të tepruar, sepse besimi mund të na ndëshkojë", tha mes të tjerash Enrique.
Pas ndeshjeve të para në grupin E, Spanja kryeson me tre pikë, aq sa ka edhe Japonia. Spanjollët mundën 7-0 Kosta Rikën, teksa Gjermania u përmbys 1-2 nga Japonia.