Bashkia e Gramshit është më e goditura nga vala dhe katastrofa e zjarreve në vend.
Qindra hektarë të djegura, dhjetëra kafshë të ngordhura, zgjoje bletësh të vrara dhe shtëpi të rrafshuara. Mes tyre një viktimë njerëzore dhe disa të plagosur.
Prej ditësh Shërbimi i Veterinarisë evidentoi dëmet e kafshëve të ngordhura dhe bëri groposjen për të shmangur sëmundjen, kurse kryebashkiaku Besian Ajazi iu drejtua prefektit të Elbasanit Ilir Bejtja, me shkresë për ndihmë nga rrethet e qarkut për rindërtimin dhe rikuperimin e dëmeve.
Fshatra si Skënderbegas, Narta, Harunasi, Bletëza janë rrafshuar nga flakët dhe shumë banorë kanë mbetur në qiell të hapur.
Kryebashkiaku Ajazi konfirmon me një postim në Instagram se ka marrë përgjigje pozitive nga Prefektura dhe së shpejti 8 grupe pune do të jenë në terren. Puna nis të hënën dhe brenda javës formësohet bilanci i dëmeve në një dosje, teksa donatorë të shumtë kanë shprehur dëshirën për të ndihmuar të prekurit dhe kryesisht të pastrehët apo ata që kanë humbur gjënë e gjallë.
Reagimi i Besian Ajazit:
“Falë mbështetjes së Prefektit të Qarkut Elbasan, Ilir Bejtja dhe kolegëve të bashkive të qarkut, Elbasan, Librazhd, Cërrik, Prrenjas, Peqin dhe Belsh, të cilët po na mbështesin me burime njerëzore, inxhinierë, topograf, veterinerë dhe agronomë, ditën e hënë nisim punën në terren me 8 grupe njëkohësisht për konstatimin dhe vlerësimin e dëmeve (banesa, pajisje shtëpiake, bagëti, të mbjella etj) të shkaktuara nga zjarri masiv në Njësinë Administrative Skëndërbegas. Brenda NJË JAVE dosja e plotë e dëmeve do të jetë GATI dhe do t’i dorëzohet institucioneve përgjegjëse dhe donatorëve të shumtë, të cilët kanë shprehur dëshirën për të na ndihmuar në këtë situatë të vështirë”.
Komente
