Australia po përjeton një nga katastrofat natyrore më të mëdha që ka përfshirë vendin-kontinent ditët e fundit.
Autoritetet filluan sot pas stuhisë (24 maj) punën për të riparuar dëmet e shkaktuara nga përmbytjet shkatërruese në pjesën juglindore të vendit, që kanë marrë jetën e të paktën pesë personave dhe shkatërruan mbi 10 mijë prona, shtëpi, biznese dhe ambiente.
Shërbimet e emergjencës në shtetin e Uellsit të Ri Jugor thanë se po vazhdonin të vlerësonin dëmet nga përmbytjet që përfshiu rajonin ditët e fundit.
"Vlerësimet fillestare tregojnë se të paktën 10,000 prona kanë pësuar dëme për shkak të përmbytjeve të papara", thanë ata në një njoftim për shtyp.
Kushtet janë përmirësuar që nga e premtja në zonat e prekura të shtetit më të populluar të Australisë. Megjithatë, qindra viktima të përmbytjeve mbeten në strukturat ku kërkuan strehim, tha shefi i menaxhimit të emergjencave Mike Washing, në një konferencë për shtyp në Sydney, teksa pohoi se janë kryer edhe 52 operacione shpëtimi.
Numri i të vdekurve u rrit pasi një burrë 80-vjeçar u gjet i vdekur brenda një shtëpie të përmbytur rreth 50 kilometra nga Taree, një nga qytetet më të goditura nga përmbytjet, tha policia.
Kryeministri Anthony Albanese, i cili u detyrua të anulonte vizitën e tij në Taree të premten për shkak të përmbytjeve, tha se ishte "e tmerrshme të dëgjoje lajmin për humbje të mëtejshme jetësh".
Shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan daljen e lumenjve nga shtrati, duke përmbytur zona të gjera dhe duke zënë në kurth afërsisht 50,000 banorë, shumë prej të cilëve u strehuan në çatitë e ndërtesave ndërsa prisnin ndihmë nga ekipet e shpëtimit, informon 'Reuters'.
Australia është goditur nga ngjarje ekstreme të motit vitet e fundit. Pas thatësirës dhe zjarreve shkatërruese në fund të dekadës së kaluar, përmbytjet e rënda kanë shkaktuar kaos që nga fillimi i vitit 2021.
Komente
