Kategoria e Parë e futbollit në Shqipëri zhvilloi gjashtë ndeshjet e javës së 22-të. Vora triumfoi për të mbajtur kreun, ndërsa emocione në Vlorë, aty ku Flamurtari fitoi kundër një rivali direkt si Besa.
Në stadiumin e Vorës vendasit nuk zhgënjyen dhe e patën të lehtë duke mposhtur 5-1 Erzenin e Shijakut. Ruzgis, Kasalla, dopieta e Ntephe dhe Skënderi shënuan për vorakët, ndërsa Shtraza gjeti golin e flamurit për miqtë.
Nostalgji, spektakël dhe emocione në stadiumin e Vlorës. Nën një atmosferë të zjarrtë me 4 mijë tifozë në stadium, Flamurtari fitoi 3-1 kundër Besës. Ndeshja nisi me mjete piroteknike dhe festë në shkallët e stadiumit, duke të kujtuar Flamurtarin e disa sezoneve më parë. Atmosfera ia la vendin fushës, ku lojtarët nuk zhgënjyen.
Pjesa e parë u mbyll e bardhë, ndërsa në minutën e 51 kapiteni Denis Pjeshka kaloi vlonjatët në epërsi. Në të 69 minutë, i porsafuturi në fushë, Nonato vendosi ekuilibrat dhe heshti tifozët. Një gabim në sulmin kavajas nuk u fal te vendasit, ndërsa të futurit nga stoli Shkurtaj dhe Ahmetaj "gatuan" golin e dytë. Karton i verdhë për Ahmetaj pasi pas golit festoi duke hequr fanellën. Për t'i vënë "kapakun" suksesit të vendasve mendoi Idriz Batha që me një supergol në minutën e 90+5 shtangu Mehidrin në portë.
Në javën e 22-të te suksesi me përmbysje doli edhe Lushnja, tri pikë për Korabin dhe Burrelin.
Pas kësaj jave është Vora me 54 pikë që mban sërish kreun, ndjekur nga Flamurtari me 52 pikë. Ndërkohë Besa, Burreli, Pogradeci dhe Lushnja ndodhen në zonën e promovimit. Nga ana tjetër Korabi, Kukësi, Valbona dhe Erzeni në zonën e ftohtë.
Kategoria e Parë, raundi 22:
E shtunë, 08 shkurt 2025 - 13:30
Apolonia 0-0 Pogradeci
Flamurtari 3-1 Besa
Valbona 2-4 Lushnja
Korabi 2-1 Kastrioti
Kukësi 0-3 Burreli
Vora 5-1 Erzeni
Renditja:
Komente
