Ismail Qemali

Katër foto të dixhitalizuara të Ismail Qemalit ekspozohen në COD

8 Korrik 2020, 22:42| Përditesimi: 8 Korrik 2020, 22:54

  • Share

Në Qendrën për Hapje edhe Dialog janë ekspozuar katër fotografi të Ismail Qemal Vlorës. Kjo ekspozitë çelet pas një përpunimi të thellë grafik dixhital të fotove të përzgjedhura me metodën piksel për piksel, duke përdorur teknologjinë e fundit dixhitale.

Ekspozita në COD është një përzgjedhje e katër fotove prej 30 gjurmësh që ruhet në dosjen 4547 në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave. Ato tregojnë jo vetëm portretin, bustin, statutin dhe shijen e tij por edhe jetën e tij në vite të ndryshme. Përmes fotografive që përçojnë identitetin e tij, nga e para e shkrepur në Atjinë, si djalosh 23-vjeçar në vitin 1867 e deri tek portreti zyrtar që njihet nga të gjithë, realizuar 107 vite më parë.

Imazhi i parë, i përket harkut kohor 1866-1870, kur Ismail Qemal Vlora, sapo kishte filluar të hidhte hapat e para në karrierën e tij të gjatë në administratën e Perandorisë Osmane. Është pikërisht periudha kur u transferua fillimisht në Ruscuk (Ruse sot, në Bullgari) qendra e Vilajetit të Danupit, guvernator i së cilës ishte Mithat Pasha. Ndërsa, me transferimin e Mithat Pashës në Stamboll si President i Këshillit të Shtetit,  dhe Ismail beu u transferua po në atë këshill. Gjatë kohës që ishte në Ruscuk u martua me Kleoniqi Surmeli, martesë që zgjati 51 vite. Nga kjo martesë e dytë lindën dhjetë fëmijë, gjashtë djem e katër vajza.

Imazhi i dytë i përket periudhës 1844-1890, periudhë gjatë së cilës Ismaili shërbeu si guvernator i provincës së Blou-së, një nga provincat më të rëndësishme aziatike në afërsi të Stambollit. Gjatë kësaj periudhe 6-vjeçare Ismail beu u dallua për aftësitë drejtuese dhe menaxhuese. Ndërtimi i mjaft veprave të rëndësishme publike si, spitale, rrugë etj.

Imazhi i tretë, është realizuar në Vjenë (1913) në ambientet e brendshme të "Grand Hotel", Ismail Beu si kryeministër i qeverisë shqiptare edhe ministër i Punëve të Jashtme të saj, ishte vendosur në mbrojtje të të drejtave të popullit shqiptar në kryeqytetet europiane, veçanërisht në Londër, ku zhvillonte punimet Konferenca e Ambasadorëve.

Imazhi i katërt, fotografia e famshme e tij, është realizuar nga fotografi Vani Bruda gjatë vitit 1913. Fotoja është e periudhës kur Ismail Qemal Vlora ishte kryeministër i Qeverisë. Kjo është fotografia zyrtare me të cilën identifikohet shteti shqiptar.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?