1.
Përafërsisht në vitin kur në Prishtinë u instaluan shkallët e para elektrike (eskalatorët), në shtëpinë e re të mallrave “Gërmia”, në një pjesë të Gadishullit Arabik u themeluan Emiratet e Bashkuara Arabe. Themeluesi i këtij shteti dhe presidenti i parë i tij, Sheikh Zayed bin Sultan Al Nahyan, do të ketë vendosur në një moment se pos të gjitha gjërave që kishte bërë për këtë vend - ta bënte njërin prej vendeve më të pasura në botë falë përdorimit të mençur të rezervave të naftës e gazit - të linte një shenjë me emrin e tij që do të identifikonte, me rrëfim arti , kredon e tij jetësore.
Dhe, kështu lindi xhamia me emrin e tij, një prej dhjetë më të mëdhave në botë. Por, mbase, edhe më e bukura në botë. E bukur nga jashtë, duke kombinuar stile të ndryshme të arkitekturës islame, duke filluar nga ajo maure e Spanjës deri te ajo Mughal e Indisë - pra duke përfshirë pothuajse tërë shtrirjen historike e gjeografike të islamit. E bukur në çdo detaj, prej pranisë së luleve të Parajsës në mermer e deri te shandelieri gjigant Swarovski në faltoren e brendshme. Por, më së shumti e bukur në rrëfimin që përmban, në oborrin e brendshëm të xhamisë që mund të mbledhë mbi 30 mijë njerëz për t’u falur: të gjithë ata që praktikojnë këtë religjion, vijnë nga kultura të ndryshme, vende të ndryshme, tradita të ndryshme, janë pjesë e një tërësie që mblidhet në atë shesh përbashkimi.
Shkallët elektrike (eskalatorët) nga fillimi i këtij shkrimi janë pjesë edhe e kësaj xhamie. Ndërsa çojnë prej parkimit nëntokësor për në xhami, anash duken fotografi të figurave të ndryshme të njohura perëndimore (Papa, Mbretëresha Elizabetë, etj.) në rrugëtimin e njëjtë si të gjithë vizitorët, në atë që është quajtur “Rruga e Tolerancës”.
Sheikh Zayedi i parë u varros në këtë vend. Xhamia është një epitaf i madh pa fjalë: tregon vizionin e tij se islami dhe moderniteti shkojnë bashkë, dhe se për të jetuar në shekullin XXI nuk duhet të kërkosh zgjidhje replikuese të shekullit XVI, as në arkitekturë e as në çdo gjë tjetër.
(Ndoshta një mësim për Kosovën?)
2.
Pas vdekjes së Sheikut të parë do të jenë ndërtuar shumë xhami, çdo njëra zgjidhje kreative artistike që zë vend në qytetin bashkëkohor të Abu Dhabit , por nga marsi i këtij viti një xhami bën pjesë në një kompozicion së bashku me një kishë të krishterë (katolike, por në përdorim për besimet e tjera të krishtera) dhe një sinagogë në kompleksin e quajtur Shtëpia Abrahamike. Me dizajnin e arkitektit ganaian-britanik David Adjaye janë ndërtuar tri faltore të njëjta në madhësi- tridhjetë metra gjatësi, tridhjetë lartësi e tridhjetë gjerësi. Që të tria dallohen me pak detaje në fasadë e brendësi - çdo detaj i menduar mirë dhe i lidhur me mënyrën se si hyn drita (apo Drita, e shenjtë në të gjitha këto religjione). Që të tria janë një ushtrim i jashtëzakonshëm artistik i thjeshtësisë, si një mënyrë e kthimit te origjina e këtyre besimeve, nevojë për kthim te modestia e njeriut.
Premisa shtytëse e kësaj Shtëpie Abrahamike (apo Ibrahimike në të folurën e traditës islamike) është se faltoret rrjedhin prej një tradite të vetme përbashkuese, ajo e Abrahamit (Ibrahimit). Dhe, se ndonëse çdo njëra ka gjuhë të veten të ushtrimit ceremonial të faljes, që të gjitha bashkohen te i njëjtë rrëfim burimor për një Zot dhe besimit në të.
Në këtë kompleks, njërën prej mrekullive të artit bashkëkohor, jetojnë së bashku hoxha, prifti dhe rabini e në mes të tri faltoreve është një hapësirë e quajtur Forum, në të cilën zhvillohet jeta e përditshme e të takuarit apo e manifestimeve që mbledhin njerëz – besimtarë e vizitorë.
Mësimi i dytë të cilin e jep pushteti i Emirateve, nën patronazhin e të cilit Papa Françesku dhe drejtuesi i Qendrës më të madhe të mësimit islam, imamit të Al Ahzar në Kajro, është se islami është pjesë e tërësisë së besimeve monoteiste të Abrahamit. Është krejtësisht i njëjtë, e merr të njëjtën dritë (apo Dritë), ajo hyn në çdo njërën prej feve në formë të ndryshme. Është krejtësisht i njëjtë, në tolerancë apo jotolerancë, sikur krishterimi dhe judaizmi - në fund tolerante apo jotolerante e bëjnë njerëzit.
3.
Mësimi i tretë është nga një objekt afër Shtëpisë Abrahamike. Është Muzeu Luvër Abu Dhabi, që mban emrin e atij të Parisit si një vulë sigurie se eksponatet në të do të kenë një shije të holluar përzgjedhjeje. Dhe, Luvri i Abu Dhabit jo vetëm që nuk është kopje, është një krijim me jetë të veten edhe kur të mos quhet më Luvër, kur t’i skadojë eventualisht kontrata mes autoriteteve të këtij vendi dhe Muzeut.
Godina, e dizajnuar nga Jean Nouvel, një prej arkitektëve më të mëdhenj në botë, në fakt është një kupolë e madhe e cila me mbi 7850 yje të gjeometrisë arabe përbën një tërësi që duhet të kryejë një funksion parësor në këtë pjesë të botës, të mbrojë nga dielli e të lejojë dritë. Dhe, të jetë një prej zgjidhjeve më të bukura të artit në botë sot.
E, brenda kësaj godine paragjykimi do të thoshte se ekspozohet arti islamik. Në fakt, ekspozohet zhvillimi i njerëzimit në art, duke vënë në të njëjtin vend artefaktin e njëjtë, apo simbolin e njëjtë, apo shprehjen e njëjtë, të zhvilluar në kultura e vise të ndryshme. Dhe, sikur në Shtëpinë Abrahamike, për të treguar harmoninë e njerëzimit, në shumëllojshmëri.
Përballë këtij muzeu po ndërtohet një tjetër filial, ai Gugenheim i New Yorkut (dhe Bilbaos).
Mësimi: Abu Dhabi , kryeqyteti i vendit të themeluar atëherë kur u instalua eskalatori në Shtëpinë e Mallrave të Prishtinës, ka vendosur që ta vërë këtë vend në hartën e artit botëror, aty ku janë qytetet me traditë artistike qindra e madje mijëravjeçare.
4.
Mësimin e katërt ma dha ambasadori i Kosovës në Emirate të Bashkuara, Xhabir Hamiti. Ndërsa shkonim prej njërit në vendin tjetër, ambasadori ma dha shpjegimin më të mirë për transformimin e madh që shihnim me sy. Në fakt, këtë mësim ia kishte dhënë babai ambasadorit Hamiti:
“Kur nuk din dhe pyet është sikur me dijtë”.
Sheikh Zayed bin Sultan Al Nahyan, ai që ndërtoi xhaminë ku do të varrosej, e mori pushtetin duke ditur që kishte shumë para nga nafta, por jo shumë dije për t’i përdorur ato si duhet. Dhe pyeti.
Ky me mediumin e tij e morren me qafe Albinin dhe Kosoven. Per cdo cmenduri te Albinit, media e ketij majmuni i bente avokatine dhe sulmonte gjithe te tjeret qe nuk mendonin si ai. Keshtu pak nga pak iu fryne puplat Albinit dhe mendoi nje dite te bukur qe as SHBA e as Shqiperia nuk i duhen, eshte aq i zgjuar dhe i forte qe mundet t'i beje vete balle Serbise. Sot te vjen keq qe e sheh Kosoven ne piken e saj me te ulet ne marredhenie me partneret dhe me vete Serbine. Dikush ne Kosove duhet ta ndale ate palaço ne kete aventure pa rrugedalje.
Përgjigju