KAVAJË- Një velierë e braktisur është gjetur në rërë disa metra larg nga bregu, në territorin e fshatit Karpen të Kavajës, informoi sot policia. Shërbimet e Policisë Kufitare po monitoronin zonën kur konstatuan mjetin lundrues që bënte lëvizje të pakontrolluara, e më pas ngeci në rërë.
Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar 1 armë zjarri pistoletë tip “Walther”, 1 krehër pistolete, municion luftarak, 2 celularë, 1 laptop dhe dokumentet e mjetit lundrues, po ashtu dhe një pasaportë gjermane me gjeneralitetet F. R., 85 vjeç.
Pas këqyrjes paraprake, shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Spille kanë ushtruar kontroll të imtësishëm në bordin e mjetit lundrues. Gjatë kontrollit në veliere, janë gjetur dhe sekuestruar 1 armë zjarri pistoletë tip “Walther”, 1 krehër pistolete, municion luftarak, 2 celularë, 1 laptop dhe dokumentet e mjetit lundrues. Gjithashtu, në mjetin lundrues, është gjetur një pasaportë gjermane me gjeneralitetet F. R., 85 vjeç.
Nga verifikimet e kryera në bashkëpunim me Guardia di Finanza-n paraprakisht rezulton se mjeti lundrues është nisur nga Bari, Itali, me drejtim Kroacinë, fillimisht me lundrim normal dhe më pas me lëvizje të çrregullta.
Grupi hetimor i ngritur për këtë rast po bashkëpunon me Interpol Tiranën, për verifikimin e të dhënave të pasaportës që është gjetur në mjetin lundrues, me qëllim sqarimin e rrethanave të këtij rasti dhe përcaktimin e vendndodhjes së poseduesit të pasaportës, i cili dyshohet të jetë drejtuesi i mjetit lundrues. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se drejtuesi i velieres mund të ketë rënë në det, për shkak të dallgëve të larta të shkaktuara nga moti i keq, informoi sot policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.