Kavajë- Pjesë e krimit të kultivimit dhe trafikut të drogës nëpërmjet shtëpive të barit në Spanjë edhe një grua.
Një 54-vjeçare që akuzohet nga autoritetet spanjolle për kultivim të bimëve narkotike dhe vjedhje të energjisë elektrike, është arrestuar sot në Kavajë me qëllim ekstradimin. E ndaluara është Valjeta Beni, banuese në Golem, që u lokalizua dhe prangos në banesën e saj.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve në kërkim, kanë sigururar informacione për vendndodhjen e një shtetaseje në kërkim ndërkombëtar dhe mbi bazën e tyre kanë organizuar punën për kapjen e saj. Si rezultat i bashkëpunimit me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Durrës dhe i shkëmbimimit të informacioneve më Interpol Tiranën, u lokalizua dhe u arrestua shtetasja shqiptare V. B., 54 vjeçe, banuese në Golem”, bëri me dije policia vendore.
E dyshuara ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Sabadell, me vendimin e datës 30 qershor 2025, i ka caktuar në mungesë masën e sigurisë "arrest në burg", për veprat penale "kultivimi i bimëve narkotike" dhe "vjedhja e energjisë elektrike", për të cilat maksimumi i dënimit është 6 vjet.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Spanjë, do të kryejë procedurat për ekstradimin e saj, pasi të jepet edhe masa e vlerësimit nga ana e Gjykatës.
Komente
